Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta xhaçka i ka bërë thirrje deputetëve të opozitës që mos e përdorin gjenocidin në Srebrenicë si një çështje për interesa politike. Sipas saj, kjo masakër meriton vetëm respekt.
Xhaçka: Dua t’i përgëzoj kolegët për këtë nismë, për të shpallur 11 korrikun ditën e përkujtimit të këtij gjenocidi. Në politikë duhet të ketë disa vija të kuqe, duhet të ketë disa ngjarje që nuk duhet të përdoren dhe të keqpërdoren në emër të agjendave politike. Gjenocidi në Srebrenicë është një nga ato ngjarje që meriton nga ne respektin më të plotë dhe jo abuzim për qëllime politike. Shqipëria ka mbajtur një qëndrim parimor për këtë krim të tmerrshëm ku mijëra burra dhe djem u vranë në mënyrën më makabre, jo se ishin fajtorë por për shkak të identitetit të tyre. Nuk është hera e parë që e dënojmë këtë masakër. Besojmë që këto krime duhen dënuar sepse duke mos i dënuar rrezikojmë përsëritjen e tyre në të ardhmen. Por besojmë që duhen dënuar sepse nëse nuk dënohen rajoni nuk do njohë kurrë harmoni dhe bashkëpunim.
Xhaçka i bëri thirrje deputetëve që të votojnë së bashku propozimin për ta miratuar rezolutën në respekt të viktimave./Abcnews.al/