Çmimi i energjisë kërcen frikshëm në bursa, Shqipëria e ekspozuar ndaj riskut

schedule07:38 - 7 Korrik, 2022

schedule 07:38 - 7 Korrik, 2022

Çmimi i energjisë në bursën hungareze, që vendi ynë ka për referencë, ka kërcyer sërish në nivele të çmendura mbi 400 euro/MWh.

Prej disa muajsh çmimet ishin stabilizuar në normalitetin e ri që nisi me krizën duke u luhatur mes 220-330 euro MWh në varësi të kërkesës ndërkohë që nivelet më të ulëta arrihen si gjithmonë në fundjava.

Konkretisht çmimi për 1 Mwh të dielën e kaluar ishte 221 euro/MWH me një rënie nga e shtuna me 6.6 për qind. Ndërkohë që në pik të dielën çmimi ishte 192 euro/MWh.

Të hënën çmimi në pik për 1 megavat/orë energji kërceu në 437 euro kurse në bazë ishte 389 euro. Në datën 5 korrik çmimi për 1 megavat orë u ul me 16.19 për qind në raport me një ditë më parë në rastin e pikut ndërsa në bazë ra me 7.36 për qind.

Edhe të mërkurën datë 6 korrik çmimi i tregtimit të një megavati qëndroi sërish në nivele të larta duke u shitur me 376 euro/MWh në pik dhe 365 euro/MWh në bazë.

Këtë të enjte çmimi në bursën hungareze ishte 371 euro/MWh në bazë dhe 424 euro/MWh në pik.

Rritja e çmimeve në bursë lidhet kryesisht me konfliktin Rusi-Ukrainë dhe frikën e ndërprerjes së plotë të furnizimit me gaz nga Rusia në Europë. Ndërkohë që mirëmbajtja e termocentraleve është një tjetër arsye pse prodhimi i energjisë ka qenë më i ulët duke sjellë më pak sasi të disponueshme në treg. Kjo ka bërë që kërkesa për burime të tjera alternative në treg të energjisë të jetë e lartë.

Situata paraqitet problematike sa i takon pritshmërisë për çmimet e energjisë në bursa ndërkohë që Shqipëria aktualisht po bazon 45 për qind të furnizimit të saj në blerje në tregun e lirë. Këto të fundit ndikohen drejtpërdrejt nga çmimet në bursë. Më herët KESH konfirmoi për “Monitor” se 55 për qind e furnizimit do të vijë nga prodhimi në vend.

Rritja e çmimeve në bursa pritet të ekspozojë vendin ndaj një kostoje të lartë të blerjes së energjisë që deri në fund të majit ishte më shumë se 145 milionë euro. Kjo faturë pritet që deri në fund të vitit të rritet ndjeshëm duke qenë se kushtet hidrike në vend vijojnë të mbeten problematike.

Shqipëria është në gjendjen e emergjencës së furnizimit me energji deri në fund të këtij viti. Kjo gjendje ishte parashikuar të zgjaste deri në 15 prill por paqëndrueshmëria e çmimeve dhe pasiguria e sigurimit të furnizimit sollën nevojën e zgjatjes së këtij afati./Monitor/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!