Kryeministri grek Aleksis Tsipras ka fituar votëbesimin e qeverisë së tij me 153 vota pro, në një seancë të mbajtur në Parlamentin grek. Mocioni ishte kërkuar nga vetë Tsipras pas përplasjes me opozitën për emërimin e ministrit alternativ të Shëndetësisë dhe disa çështje të brendshme.
Kryeministri grek Aleksis Tsipras fitoi të premten në një votëbesim të mbajtur në Parlamentin helen, disa javë përpara zhvillimit të zgjedhjeve euro-parlamentare që do të jenë testi i parë i rizgjedhjes së tij në vjeshtë.
Votimi final tregoi se 153 nga 300 deputetë në total që ka parlamenti grek mbështetën kryeministrin, edhe pse në sallë votuan vetëm 289 ligjvënës. Qeveria Tsipras, mandati i së cilës përfundon në Tetor, ndodhet pas opozitës konservatore në sondazhe dhe zgjedhjet për Parlamentin Europian më 26 maj do të mbahen paralelisht me zgjedhjet lokale.
Më herët gjatë javës, qeveria greke njoftoi një seri masash për periudhën 2019-2021 që synojnë lehtësimin e shtrëngimeve financiare, përfshirë këtu shkurtimin e taksave dhe përfitimet e përhershme të pensionistëve, të ardhurat e të cilëve u tkurrën gjatë krizës së borxhit që përfshiu vendin një dekadë më parë. Në gusht të vitit të kaluar, Greqia doli nga programi i tretë i ndihmave dhe që atëherë Tsipras ka patur dorë të lirë për të bërë manovra fiskale.
“Masat mbështetëse që po sjellim dhe që së shpejti do t’i votojmë janë të përhershme. Ato janë një lloj drejtësie për shumë njerëz dhe sakrificat e tyre. Janë agimi i një dite më të mirë për vendin tonë”, u tha Tsipras ligjvënësve para votimit.
Ishte vetë Tsipras që e kishte kërkuar votëbesimin, pas presionit të opozitës për të larguar ministrin alternativ të Shëndetësisë, Pavlos Polakis./ABC News Albania 24/7