Kryemadhi paralajmëron të tjera fakte për aferën e Inceneratorëve: Do mësoni akoma më shumë

schedule11:50 - 5 Korrik, 2022

schedule 11:50 - 5 Korrik, 2022

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka dalë sot në një reagim për mediat pas dokumentave të reja që ajo do të dorëzojë në SPAK lidhur me 24 kompanitë që kanë kryer evazion fiskal.

Kryemadhi tha se janë mijëra fatura që tregojnë evazionin fiskal që do të bëhen publike pasi të dorëzohet padia në SPAK.

“Siç janë këto fatura që janë për nja 4-5 mln lekë të reja, apo edhe më shumë, ka fatura pafund të Klodian Zotos, të Integrated, të Klodian Zotos që janë faturuar te këto 24 kompani fiktive që kanë bërë evazion fiskal që në fakt është krim financiar sepse janë grabitur paratë e buxhetit të shtetit. Janë grabitur para që kanë qenë mbështetje buxhetore për inceneratorët. Këtu do të jemi, do jemi përsëri prezent me fakte të reja, dokumente të reja”, tha kryetarja e LSI-së.

Ajo mohoi që SPAK të ketë thirrur dy të moshuarit Thanas Çani dhe Haxhire Gurakuqi për të dëshmuar, por tha se SPAK duhet të thërrasë urgjent dhe ta kthejë nga Holanda kryeministrin Edi Rama.

“Gazetarët të mos hedhin shashka sikur janë thirrur në SPAK pensionistët, se nuk janë thirrur sepse nuk e kemi dorëzuar ende padinë për këtë çështje. Bëhet për të shfokusuar vëmendjen. Po, SPAK duhet të thërrasë urgjent dhe ta kthejë nga Holanda kartë postale Edi Ramën dhe ta pyesë me ç’të drejtë ke vjedhur firmat e dy pensionistëve se nuk janë vetëm 2 pensionistë, do të mësoni akoma më shumë. Do të dalin që shumë firma fiktive të krijuara, pronarët e tyre nuk janë në dijeni të firmave të tyre që kanë krijuar. Iu është marrë karta e identitetit, iu është vjedhur karta e identitetit dhe janë kryer veprime të tjera. Megjithatë kjo është në dorë të SPAK-ut”, tha Kryemadhi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!