Bujqësia dhe blegtoria janë temë e emisionit “Log” nga Endri Xhafo në Abc News mbrëmjen e sotme.
Ka qenë kryetari i Partisë Agraro-Ambientaliste, aktualisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ai që fillimisht shpjegoi projektligjin që propozoi për miratim para deputetëve.
Duka tha se miratimi i këtij projektligji do të ndihmonte bujqësinë, për të cilën veprohet ende me ligje të vitit 2007, ndërsa tregjet e rajonit ecin përpara.
Ndër pikat më të rëndësishme të ligjit janë subvencionimi i fermerëve për minimalisht 5 vjet, stabilizimi i tregjeve, ndërhyrja e shtetit kur ka mbiprodhim dhe analizat e tokës dhe ujit për të përshtatur kulturat që duhen mbjellë.
“Projektligji nuk është se nuk u pranua, por u refuzua me argumentin se po hartojmë strategjinë kombëtare 2021-2027. Thanë se ndoshta do marrim disa pika të këtij projektligji, por tani për tani nuk e shikojnë të arsyeshme të ndryshojnë ligjin që është bërë që në vitin 2007.
Kjo është paradoksale, nuk mund të zhvillohet një sektor në 2022 me ligjin e 2007. Ne nuk e kemi konkurrencën me vitet por me tregjet që kemi afër, tregjet e rajonit, ata operojnë me ligje të tjera ne me ligje të vitit 2007. Nuk besoj që argumenti i mazhorancës qëndron se nuk mund të presë bujqësia e blegtoria me këto probleme që kemi dhe me atë projektligj mund të rregulloheshin. Një është stabilizmi i tregjeve. Duhet të përshtaten kultura me tokën, me ujin.
Kur ka mbiprodhim shteti ndërhyn dhe i përdor për nevojat e veta ndërkohë që gjithë bashkitë bëjnë tendera për çerdhe e kopshte ndërkohë që mund ta marrësh shalqirin dhe e përdor për këto insitucione.
Pika e parë e projektligjit janë subvencionet minimalisht 5 vjeçare. Të mos ketë diskriminim negative për të përfituar. Të gjithë fermerët të subvencionohen dhe për ata që janë të mëdhenj, se këto gjykojnë se nëse ua japim më të vegjëlve nuk ndihmojmë kooperimin, ata që shoqërojnë kapitalet, atyre t’u jepet më shumë, por jo të lihen pa gjë të vegjlit.
Tjetra është bërja e analizave të tokës dhe të ujit. Analizat bëhen një herë në 4 vjet. Agrokimiket duhen bërë që të dimë me çfarë duhet të mbillet toka. Për analizën e tokës dhe ujit kemi vetëm një në Krujë, nga 14 insitute që ishin dikur”, tha Duka.