Operacioni “Stacioni i fundit” ka vënë në pranga 2 të rinj në Tiranë.
Sipas policisë, dy të rinjtë tentuan të transportonin me automjet, me qëllim shitjen, doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Në kuadër të operacionit “Stacioni i fundit” u bë arrestimi i E. B., 21 vjeç, dhe H. C., 24 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Në rrugën “Isuf Elezi”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, kanë lokalizuar automjetin me drejtues shtetasin E. B. dhe pasagjer shtetasin H. C.
Shtetasit E. B., gjatë kontrollit fizik, iu gjet dhe iu sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza, gati për shitje.
Sipas verifikimeve të kryera ka rezultuar se lënda narkotike i përkiste shtetasit H. C. dhe se shtetasi E. B. do kryente transportin e saj.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin lëndën narkotike, e ndanin atë në porcione të vogla, të cilat më pas i shisnin në zona të ndryshme të Tiranës.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarive kriminale të kryera nga këta shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./Abcnews.al/