Meta dekoron Kapedanin e Dukatit, Dervish Aliu

schedule09:17 - 2 Korrik, 2022

schedule 09:17 - 2 Korrik, 2022

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar së fundmi një figurë patriotike shqiptare të periudhës osmane.

Urdhëri “Naim Frashëri”, i është dhënë Kapedanit të Dukatit, Dervish Aliu, në një ceremoni me pjesëmarrjen e pasardhësve të tij.

Motivacion është pjesëmarrja e tij aktive në qëndresën antiosmane në gjithë krahinën e jugut.

Dervish Aliu, i arsimuar në “Zosimenë” e Janinës, u kthye në Dukat për të mbajtur shtëpinë pas vrasjes së të atit. Dervishi i Dukatit, së bashku me Rrapo Hekalin dhe Tafil Buzin, udhëhoqën kryengritjet fshatare kundër reformës së Tanzimatit.

Emri i tij gjendet dhe në një letër të krerëve të Besëlidhjes Shqiptare, 1847, ku i kërkohej ndihmë mbretit Oton të Greqisë. Kryengritja fshatare, e cila kishte përfshirë të gjithë trojet shqiptare kundër sistemit të ri të administrimit dhe taksimit të kërkuar nga Perandoria Osmane, u shtyp. Pas shpartallimit të forcave të kryengritësve, Dervish Aliu u arrestua dhe u burgos në kalanë e Gjirokastrës, duke u internuar më pas në Tersanë e Stambollit. Me ndërhyrjen e konsullit francez në Stamboll, Dervish Aliu lirohet dhe vjen me ndihmën e varkëtarëve himariotë në Karaburun.

Në dhjetor të vitit 1851, Dervish Aliu u thirr në Vlorë për një marrëveshje me Turqinë. Bejlerët turkomanë të Vlorës e helmuan pabesisht në kafene. Varri i tij sot është në qytetin bregdetar.

Sarajet e tij në fshatin Dukat të Vjetër, janë monument kulture, por pavarësisht kësaj, janë thuajse të rrënuara.

Familjarët shprehen të keqardhur dhe bëjnë apel për ndërhyrje, pasi kategorizimi si muze, nuk i lejon të bëjnë riparime private.

/abcnews.al