Kina ka paralajmëruar se do të marrë kundër-masa nëse Shtetet e Bashkuara do të aplikojnë planin e tyre për rritjen e tarifave për produktet kineze. Deklarata është bërë nga një zëdhënës i Ministrisë kineze të Tregtisë, i cili ka nënvizuar se Pekini ndihet i hidhëruar për këtë lëvizje të palës amerikane.
“Përshkallëzimi i tensioneve tregtare nuk i shërbejnë as Kinës, as Shteteve të Bashkuara dhe as gjithë botës”, ka thënë zëdhënësi.
Ai ka nënvizuar se në kushtet kur tarifat do të rriten nga 10 në 25 për qind, Kina do të marrë masat e nevojshme, por pa saktësuar se cilat do të jenë ato. Tarifat e reja, që do të vënë në shënjestër produktet kineze me vlerë 200 miliardë dollarë, pritet të hyjnë në fuqi ditën e premte, më 10 Maj.
Ato u njoftuan fundjavën e kaluar nga presidenti amerikan, me argumentin se bisedimet tregtare me Pekinin po ecnin me ritme të ngadalta për shkak të kapriçove të palës kineze./ABC News Albania 24/7

