Alban Tafaj: Besueshmëria e trajnerëve tanë është rritur shumë!

schedule13:58 - 29 Qershor, 2022

schedule 13:58 - 29 Qershor, 2022

Departamenti i Edukimit në Federatën Shqiptare të Futbollit përmbylli me sukses këtë muaj dy kurse mjaft të rëndësishme sa i përket rritjes së nivelit dhe certifikimit të trajnerëve në Shqipëri, kursin UEFA PRO dhe UEFA A. Sakaq, ky departament po vijon me kursin UEFA B për zonën e veriut, një kurs i dedikuar për të gjithë futbollistët që vendosin të tërhiqen nga futbolli i luajtur.

Në një intervistë për fshf.org, specialisti i Departamentit të Edukimit në FSHF, Alban Tafaj flet për edicionin akademik 2021/2022, ndërsa shprehet se rritja e numrit të trajnerëve profesionistë dhe të aftë sjell edhe rritje të nivelit të trajningut. Më tej, ai tregon edhe planet e Departamentit të Edukimit dhe thotë se nga muaji shtator do të nisë kursi për Drejtor Sportiv dhe më pas edhe kurset e trajnerëve.

Viti akademik 2021-2022 i Departamentit të Edukimit në FSHF- “Sapo kemi përfunduar dy nga kurset e rëndësishme të Departamentit të Edukimit, siç është ai i UEFA PRO dhe UEFA A. UEFA PRO nisi në shtator të vitit 2021 dhe përfundoi në muajin qershor, një nga kurset e nivelit më të lartë, sepse është niveli master i trajnimit.

Janë 20 trajnerë që e kanë përfituar këtë kurs dhe besoj që janë shumë të aftë për të drejtuar skuadrat e elitës së futbollit dhe pse jo dhe ato europiane. Kursi i UEFA A, që është i shtrirë në gjashtë muaj me perioda të ndryshme i vjen në ndihmë skuadrave, ku këta trajnerë kontribuojnë, sepse duke qenë trajnerë të ekipeve profesioniste, ato nuk shkëputen në një bllok të gjatë nga skuadrat e tyre.

Cikli përmbyllet me një provim, qoftë praktik, qoftë teorik dhe besoj baza që marrin dhe themelet që hedhin në trajningun profesionist është mjaft i lartë. Ndërkohë, jemi duke vazhduar me UEFA B për veriun që zhvillohet në Shkodër dhe është i shtrirë në tre muaj.

Është një kurs i dedikuar për ish-lojtarë të cilët duan të vazhdojnë rrugën e sportit përmes trajnimit. Është një kurs që ka emra të lojtarëve të ekipit tonë kombëtar, siç është rasti i Mërgim Mavraj, i cili ka ardhur dhe po ndjek këtë kurs”.

Sa është ndjerë rritja e nivelit të trajnerëve të kualifikuar në Shqipëri të dalë nga kjo shkollë? – “Sa më trajnerë të aftë dhe profesionistë të kemi, aq më i lartë bëhet niveli i trajnimit të tyre deri në bazë te fëmijët, pasi është shumë e rëndësishme që trajneri të jetë edukator, prind dhe në fund është edhe trajner.

Do të thosha që është ndjerë goxha në kampionatin tonë. Këtu kemi emra të eksperiencës të cilët kanë dalë nga shkolla jonë e trajningut, si Mirel Josa, Ilir Daja e shumë trajnerë të tjerë, të cilët kanë luajtur edhe në Kupat e Europës. Besueshmëria e trajnerëve tanë është rritur goxha sepse formimi i tyre është për t’u admiruar”.

Planet e Departamentit të Edukimit për vitin e ri akademik – “Me përjashtim të kursit UEFA PRO që zhvillohet një herë në dy vite, kurset e tjera do të vazhdojnë normalisht. Do të vazhdojmë sërish me nivelin A të trajnimit, me kursin UEFA B, përcaktuar dhe dedikuar për lojtarë profesionistë të cilët largohen nga sporti, për të vazhduar ëndrrën e tyre në futboll dhe kemi edhe kursin UEFA C. Do të vijojë edhe kursi për Drejtor Sportiv në shtator”. / fshf.org