SHBA njofton strategjinë për të parandaluar përhapjen e lisë së majmunëve

schedule13:11 - 29 Qershor, 2022

schedule 13:11 - 29 Qershor, 2022

Administrata amerikane, ka njoftuar fillimin e fazës së parë të një programi vaksinimi për të luftuar përhapjen e lisë së majmunëve. Sipas Shtëpisë Bardhë programi do të lejojë që shpërndarja e vaksinave të fillojë menjëherë tek subjektet dhe komunitetet më të rrezikuara për të frenuar përhapjen e sëmundjes.

Shtëpia e Bardhë thotë se do të shpërndajë rreth 300,000 doza të vaksinës së lisë së majmunit në institucionet mjekësore në të gjithë Shtetet e Bashkuara gjatë javëve të ardhshme. Strategjia e saj përfshin gjithashtu testime të zgjeruara për të zbuluar menjëherë rastet.

Qendrat amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thonë se që nga e marta, 4769 raste të lisë së majmunëve janë konfirmuar në 49 vende dhe rajone ku sëmundja nuk është endemike. Më shumë se 300 prej rasteve kanë ndodhur në Shtetet e Bashkuara.

Rikujtojmë se pacienti i parë i infektuar me linë e majmunëve ishte kthyer në Mbretërinë e Bashkuar  nga një udhëtim në Nigeri ku lija e majmunëve është endemike. Sidoqoftë, rastet tani po përhapen në mesin e njerëzve që nuk kanë udhëtuar në Afrikën perëndimore ose qendrore, duke sugjeruar që po ndodh transmetimi lokal.

Lija e majmuneve zakonisht përhapet nga kontakti i ngushtë dhe piklat e frymëmarrjes. Megjithatë, lija e majmunëve transmetohet edhe nëpërmjet marrëdhënieve seksuale.

Shumica e rasteve në shpërthimin aktual janë raportuar te meshkujt e rinj, por virusi mund të përhapet tek kushdo.

Cilat janë simptomat?

Simptomat e hershme janë të ngjashme me gripin, si ethe, dhimbje koke, dhimbje të muskujve dhe ënjtje të nyjeve limfatike.

Një nga simptomat e tjera është skuqja, duke filluar në fytyrë dhe më pas duke u përhapur në pjesë të tjera të trupit – më shumë në pëllëmbët e duarve dhe shputat e këmbëve.

Sa vdekjeprurëse është lija e majmunëve?

Lija e majmunëve është kryesisht një sëmundje e lehtë, që zgjat dy deri në tre javë. Megjithatë, në disa raste, mund të shkaktojë vdekje.

Sipas OBSH-së, shkalla e vdekshmërisë ka qenë rreth 3% deri në 6% . Virusi i lisë së majmunit të Afrikës Perëndimore konsiderohet të jetë më i butë se ai i Afrikës Qendrore. Lija e majmunëve ka tendencë të shkaktojë sëmundje më serioze te njerëzit me imunitet të dobët– si ata që i nënshtrohen kimioterapisë  dhe fëmijët.

/abcnews.al