Emisioni “Stop” në Tv Klan ka denoncuar mbrëmjen e sotme rastin e një mjeku në shërbimin e Onkologjisë në QSUT, që merr para nga e afërmja e një pacienti për të hyrë pa rradhë për radioterapi në këtë pavion.
Familjarja e një pacienti nga Kosova, që banon në Zvicër, paraqitet në recepsionin e spitalit, ku e drejtojnë tek infermieri Pali Cuni, ndërsa ky i fundit e dërgon me rekomandim te doktor Enes Hafizi apo doktor Nesti.
Pas bisedave me familjaren për pacientin që kërkon të bëjë rrezet tek Onkologjiku, mjeku i kërkon dokumetacionin e nevojshëm dhe i shpjegon se ka rradhë të gjata pacientësh që presin të marrin këtë shërbim radioterapie.
Pas propozimit të të afermes së pacientit për të ofruar para, në mënyrë që ta marrë pa rradhë këtë shërbim, mjeku bie dakord me shumën 1 mijë euro, para të cilat e afërmja e pacientit nga Kosova ia lë në tavolinë.
Pas publikimit të lajmit nga emisioni Stop në TV Klan, ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka reaguar menjëherë duke njoftuar shkarkimin nga detyra për dy bluzat e bardha Pali Çuni dhe Enes Hafizi./ABC News Albania 24/7