Mentor Kikia
Në muajin prill, qeveria ndërmori një nismë të paprecedentë “konsultimi me popullin”, duke u dërguar qytetarëve me postë disa pyetje të çuditshme për nga metodologjia e pyetsorëve. Dhe njëra prej tyre ishte kjo:
“Ka njerëz që thonë se emigrantëve shqiptarë që duan të depozitojnë në Shqipëri kursimet e tyre duhet t’u jepet amnisti e plotë. Të tjerë mendojnë se depozitimi i tyre në vendin tonë të kursimeve të punës në emigracion nuk duhet inkurajuar përmes amnistisë. Si mendoni ju?”
Dhe rezultati, sipas vetë qeverisë, ishte ky:
332,093 – Pro
120,360 – Kundër
53,366 – Nuk e di
Pas vendimit për të lejuar kultivimin e canabisit mjeksor, bazuar në të njëjtën metode “konsultimi publik”, qeveria ka nxjerrë nga sirtarët draftin e një amnistie fiskale, që nuk lidhet vetëm me emigrantët, sikurse thuhej në pyetësor.
Drafti parashikon legalizilimin e parave dhe pronave të padeklaruara deri në 2 milion Euro. Ai vendos shumë kufizime për kategoritë që nuk përfitojnë nga kjo. Duke filluar nga presidenti i republikës, kryeministri, ministra, deputetë, gjykatës e prokurorë, drejtorë të lartë të administratës qëndrore e vendore. Subjekte që janë në proces hetimi për evazion fiskal, subjekte të ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”, personat e shpallur dhe personat, për të cilët ka filluar procedura e shpalljes, në zbatim të ligjit “Për masat kundër financimit të terrorizmit”…
Në pamje të parë duket se janë përjashtuar të gjithë ata që mund të kenë para dhe prona në vlera të mëdha, zyrtarët e lartë, trafikantët, kriminelët dhe sipërmarrësit evazorë. Por atëherë kujt i adresohet amnistia? Kush janë ata që paskan 2 milion Euro nën jastëk, dhe qeveria do ti japë mundësi ti nxjerrë dhe ti investojë? Kush janë ata që paskan prona në të tilla vlera, që i kanë ndërtuar pa leje, dhe deri tani nuk i kanë legalizuar?
Ata që shesin në treg? Fshatarët që mbjellin shalqi dhe i shesin me tezga në anë të rrugëqve? Emigrantët që punojnë gjysmë në të zezë e flenë nëpër hangare? Nëpunësit e thjeshtë të administratës? Mësuesit? Padyshim që këta jo.
Kjo e bën edhe misterioze amnistinë. Kujt i adresohet ajo? Përvoja në këtë vend tregon se gjithmonë ka patur një “djall” që fshihet në detaje dhe se të tilla ligje nuk janë miratuar asnjëherë “aforfe”, pa patur një objektiv të qartë.
Amnistia është një akt që i jep fund një sanksioni ligjor. Amnistohet një vepër penale dhe të gjithë të dënuarit për këtë vepër rifitojnë lirinë. Apo vendimi i qeverisë, që herë pas herë amnistonte debitorët e energjisë elektrike.
Por, përse duhet një amnisti fiskale në Shqipëri? Të dhënat tregojnë se sot në Tiranë, rreth 65% e pasurive të patundëshme blidhen me para në dorë. Pra, nëse dikush ka 2 apo më shumë milion Euro, i bën ato prona pa asnjë problem. Madje kjo është arsyeja që ka një kontraditë të madhe në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë, ku një metër katrore ndërtim shitet deri në 4.500- 5,000 Euro, aq sa në qytetet më të shtrenjta të Europës, kur paga mesatare është 400 Euro në muaj.
Më shumë se një nevojë për të injektuar para në ekonomi, kjo duket një përpjekje për të çliruar paranë dhe pronat e korrupsionit. Ato nuk kanë as origjinë, e nuk janë as nën hetim. Padyshim që të gjithë zyrtarët e lartë të shtetit dhe qeverisë janë përjashtuar nga përfitimi prej këtij ligji, por si gjithmonë, zyrtarët kanë të afërm të pasur, për të cilët ata “nuk mbajnë përgjegjësi”.
Megjithatë, ngado që ta kenë origjinën paratë që do të amnistohen, ato do të dëmtojnë konkurencën e ndershme. Do të vazhdojnë të rrisin në mënyrë artificiale standardet e jetesës dhe “mesatarisht” ne do të bëhemi edhe më të pasur.
Ndaj dhe sipërmarrësit e ndershëm e kanë kundërshtuar draftin, duke kërkuar madje konsulencën e BB-së dhe FMN-së si garanci. /abcnews.al/