Një oligark ka kërkuar të privatizojë ishullin e Sazanit? Përgjigjet Niko Peleshi

schedule13:02 - 27 Qershor, 2022

schedule 13:02 - 27 Qershor, 2022

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i thirrur në Komisiuonin  e Sigurisë i është përgjigjur pyetjeve të deputetëve të opozitës, të cilët e kanë thirrur për situatën e zjarreve në vend.

Ndër të tjera, ministri iu përgjigj deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji, i cili tha se ka zëra që një oligark ka kërkuar privatizimin e ishullit të Sazanit.

“Pritet të ketë zjarre, po ngaqë nuk i shuani dot dhe e merrni me të qeshur këtë punë, prandaj u kemi thirrur përpara. A keni dijeni, kërkesë, aplikim apo ndonjë formë të caktuar nga ndonjë kompani, oligark që kërkon në përdorim apo privatizim ishullin e Sazanit duke u kërkuar ta nxirrni nga plani juaj? A është e njëjta kërkesë edhe në Karaburun? Akuzat për Sazanin janë që zjarri është i qëllimshëm për ti hapur rrugë ndërtimit të hoteleve.  A ka kapacit qeveria të përballojë situatën nga zjarret këtë vit dhe cilat janë kapacitetet?”, tha Salianji.

Peleshi i mohoi këto zëra, duke thënë: “Nuk kemi asnjë kërkesë për privatizime të bazës. “Nuk mund të privatizohet baza ndihmuese e Sazanit. Nuk ka kërkesë, indicie, privatizim. Nuk ka lidhje zjarri me ndonjë konspiracion për të hapur territore të reja për ndërtime.”

Peleshi sqaroi më tej se vendit nuk i leverdis të blejë avionë për shuarjen e zjarreve pasi janë të kushtueshëm.

“Thashë që nuk ka leverdis të kemi avionë për shuarjen e zjarreve. Sepse kushtojnë 50 milionë euro thashë. Nuk thashë që s’kemi buxhet. Ne jemi nga vendet brenda NATO-s që jemi duke respektuar grafikun e 2% të buxhetit. Ka vende të zhvilluara që janë edhe më keq. Nuk thashë që s’kemi mundësi. Unë e kam për publikun. Ju luani me fjalët për të bërë politikë”, tha ai.

Ministri mohoi akuzat e deputetit demokrat se vitin e kaluar nuk ka patur reagim për zjarret. Peleshi tha se reagimi ishte shembullor.

“Thatë që nuk pati reagim vjet për zjarret. Nuk është e vërtetë. Ka pasur një reagim shembullor. Kanë qenë disa helikopterë në veprim. Kemi patur mbështetjen e mekanizmit evropian të Mbrojtjes Civile. Kjo nuk do të thotë lypje. Është mekanizëm i vendeve të BE. Ne jemi partnerë. Nëse zjarret do të futeshin në Llogara do të prisnim shiun”, u shpreh ai.

Duke dhënë sqarime se këtë vit do të jenë pesë helikopterë në gatishmëri për të menaxhuar situatën e zjarreve. Gjithashtu ministri tha se brenda disa muajsh do të kenë katër helikopterë black hawk.

“Pyete sa mjete ajrore kemi. Të gjeneratës së katër ne kemi katër, dhe për pak ditë do të kemi pesë. Do të kemi pesë helikopterë në gatishmëri.

Ne siç e thashë presim lëvrimin e  një kontrate për blerjen e dy helikopterëve black hawk. I kemi mbaruar pagesat por po presim se prodhimi kërkon kohë. Presim edhe dy të tjerë. Pra do të kemi brenda pak muajsh katër helikopterë black hawk”, tha ai. g.v/abcnews.al