Vizita e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian në Tiranë Federica Mogherini nuk pritet kryejë rol ndërmjetësues midis mazhorancës dhe opozitës. Deklaratën e bëri ambasadori i delegacionit evropian Luigi Soreca i cili vazhdon ti kërkojë partive politike që të ulen e të gjejnë një zgjidhje.
Shtëpinë e ka ndryshuar delegacioni i Bashkimit evropian në Tiranë. Të vjetra kanë mbetur mesazhet që i drejton mazhorancës dhe opozitës për pjesëmarrjen në zgjedhjet e 30 Qershorit.
Soreca: “Ajo që kemi thënë deri tani është që ne i ftojmë të gjitha partitë politike të marrin pjesë në zgjedhje. Është shumë e rëndësishme kjo për hir të qytetarëve shqiptarë, që ata të përfaqësohen nga të gjitha partitë, të cilët kanë përfaqësuesit e tyre dhe ne nuk do ta ndryshojmë këtë deklaratë që kemi bërë”.
Në 8 maj pritet të mbërrijë në Tiranë edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian Federika Mogherini. Në axhendën e saj nuk përfshihet ndërmjetësimi midis palëve politike në Shqipëri sqaroi ambasadori Soreca.
Soreca: “Ndërmjetësimi nuk është në axhendë për momentin. Janë partitë politike, qeveria, opozita që duhet të gjejnë atë urë që ekziston në mënyrë që të tejkalojnë këtë ngërç në të cilin gjendemi dhe që nga kjo punë të përfitojnë qytetarët e Shqipërisë, përfaqësimi i plotë i tyre në zgjedhje”.
Në nisje të javës evropiane në Tiranë nuk mungojnë as publikimet se sa e mbështesin qytetarët shqiptarë reformën në sistemin e drejtësisë, shumica janë pro por nuk janë të paktë ata që mendojnë se nuk po ecën shumë mirë si proces.
Reforma në sistemin e drejtësisë dhe reforma zgjedhore janë disa nga pikat kyçe që vlerësojnë hapjen apo jo të bisedimeve për negociatat me bashkimin evropian. Ministri në detyrë për Evropën dhe punët e jashtme shprehet optimist pavarësisht se edhe ai është në pritje të përmbajtjes së raportit të Komisionit Evropian që do të publikohet këtë muaj.
Në të njëjtën linjë është ambasadori Luigi Soreca. Deklaratat u bënë në ditën e inaugurimit të ambienteve të reja të delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë./ABC News Albania 24/7