“Nga 500 pacientë që kanë ardhur në klinikë që nga mëngjesi, 200 kanë vdekur”. Ky është vlerësimi i hapur i Muhammad Gul, anëtar i stafit në një klinikë të vogël në Gyan, në Afganistanin lindor, që u godit nga tërmeti i fuqishëm.
Objekti ka vetëm pesë shtretër, por tërmeti i së martës i la të papërdorshme edhe këto burime të pakta. “Të gjitha dhomat e klinikës janë shkatërruar”, tha zoti Gul për BBC.
Ai u shpreh se një helikopter kishte transportuar një pjesë të vogël të pacientëve nga distrikti i largët në provincën Paktika në qytete për trajtim dhe dy mjekë po drejtonin një klinikë të improvizuar në natyrë për t’u përpjekur të trajtonin njerëzit që nuk kishin ku të shkonin tjetër.
Gjeneratori që furnizon energjinë ka vetëm pak karburant dhe ndihma e premtuar nga provincat e tjera ende nuk është realizuar. Ndërkohë, të plagosur vazhdojnë të vijnë.
“Ka dhjetëra njerëz që kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme mjekësore. Unë nuk mendoj se ata do të mbijetojnë natën”, shtoi Gul.
Tërmeti goditi zonat e varfra kodrinore me ndërtesa të dobëta, të ndërtuara keq për të përballuar goditjen. Qindra shtëpi janë shkatërruar dhe ka pasur rrëshqitje dheu.
Gyan është një nga zonat më të goditura. Shumë njerëz janë ende të bllokuar nën rrënoja. /abcnews.al