Në Maqedoninë e Veriut zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale. Në garën presidenciale janë përballë njëri – tjetrit kandidati i LSDM-së dhe koalicionit qeveritar, Stevo Pendarovski dhe kandidatja e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit opozitar Gordana Siljanovska-Davkova.
Sipas komisionit Shetëror të Zgjedhjeve, vendvotimet janë hapur në kohë, ndërsa procesi i votimit vijon pa probleme.
Në këto zgjedhje janë të regjistruar 1.8 milionë votues.
Vendvotimet do të jenë të hapura prej orës shtatë deri në orën 19. Pas mbylljes së vendvotimeve do të mund të votojnë vetëm personat të cilët deri në atë moment ndodhen në objektin ku votohet.
Zgjedhjet presidenciale, po monitorohen nga 3.381 vëzhgues nga vendi dhe 520 jashtë vendit, të akredituar nga KSHZ-ja.
Në raundin e parë pjesëmarrja e votuesve ishte 41.8%. Në këtë raund, në rast se nuk arrihet pjesëmarrje mbi 40 për qind , atëherë sipas Kushtetutës do të organizohen zgjedhje të reja presidenciale. Gara në raundin e parë ishte e ngushtë, pasi Pendarovski fitoi me një epërsi prej vetëm 4.528 votash.
Këto janë zgjedhjet e gjashta presidenciale nga pavarësia e vendit në vitin 1991 dhe të parat me emrin e ri Maqedonia e Veriut. /ABC News Albania 24/7