Si do ta fitojë Ukraina luftën kundër Rusisë

schedule09:15 - 21 Qershor, 2022

schedule 09:15 - 21 Qershor, 2022

Nga Dmytro Kuleba, “Foreign Affairs”

Ndërsa lufta totale e Rusisë në Ukrainë po vazhdon për të katërtin muaj radhazi, po bëhen gjithnjë e më të zëshme thirrjet për arritjen e marrëveshjeve të rrezikshme midis Kievit dhe Moskës. Ndërsa po rritet lodhja nga ky konflikt dhe po zbehet vëmendja, gjithnjë e më shumë analistë pro-rusë, po propozojnë që Perëndimi ta shesë Ukrainën për hir të paqes dhe stabilitetit ekonomik në vendet e tyre.
Edhe pse ata mund ta prezantojnë vetën si pacifistë ose realistë, ata po perceptohen më shumë si mbështetës të imperializmit rus dhe krimeve të luftës. Është e natyrshme që njerëzit dhe qeveritë ta humbasin interesin për konfliktet që zgjatin në kohë. Kjo është diçka që ka ndodhur shumë herë gjatë historisë.
Kështu, bota pushoi së kushtuari vëmendje luftës në Libi, kur ish-udhëheqësi Muammar Al-Gaddafi u rrëzua nga pushteti në vitin 2011. E njëjta gjë u pa me Sirinë, Jemenin dhe konfliktet e tjera të vazhdueshme që dikur dominonin lajmet. Pjesa tjetër e botës e humbi interesin për Ukrainën pas vitit 2015, edhe pse ne vazhduam që të luftonim ndaj trupave ruse për kontrollin e pjesës lindore të vendit.
Por pushtimi aktual i Rusisë është më i rëndë se i dikurshmi, dhe bota nuk e ka luksin që ta injorojë. Dhe kjo sepse presidenti rus Vladimir Putin nuk dëshiron thjesht të gllabërojë më shumë territore ukrainase. Ambiciet e tij nuk ndalen as në vënien nën kontroll të gjithë Ukrainës. Ai dëshiron ta zhdukë kombësinë ukrainase, ta fshijë popullin tonë nga harta, si duke na masakruar po ashtu edhe duke shkatërruar shenjat dalluese të identitetit tonë. Pra ai është i përfshirë në një fushatë gjenocidi.
Për të mos u lodhur nga lufta, dhe për të rënë pre e narrativave mashtruese, Perëndimi duhet të kuptojë saktësisht se si mund të fitojë Ukraina, dhe më pas të na mbështesë në përputhje me rrethanat. Kjo luftë është ekzistenciale, dhe ne jemi të motivuar të luftojmë. Nëse armatosen siç duhet, forcat tona mund t’i sprapsin trupat e Putinit, të cilat tashmë janë të rraskapitura.
Ne mund t`i kundërsulmojmë forcat ruse si në jug të Ukrainës po ashtu edhe në lindje të Ukrainës, duke i bërë presion Putinit që të vendosë se cilat pjesë të pushtuara zgjedh të mbrojë. Por që të kemi sukses, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë duhet ta furnizojnë me shpejtësi vendin tonë me numrin e duhur të armëve të rënda të avancuara.
Po ashtu, ata duhet t`i ruajnë, madje edhe t`i shtojnë sanksionet kundër Rusisë. Dhe mbi të gjitha, duhet të shpërfillin thirrjet për zgjidhje diplomatike që do ta ndihmonin Putinin, përpara se ai të bëjë lëshime serioze. Kompromisi me Rusinë mund të duket joshës për disa në Perëndim, sidomos teksa po rriten kostot e luftës.
Por përkulja ndaj agresionit të Putinit, do ta ndihmojë atë ta shkatërrojë më shumë Ukrainën, do e inkurajojë qeverinë e tij të kryejë sulme diku tjetër në botë, dhe ta lejojë atë të rishkruajë rregullat e rendit global. Nëse arrijmë t’i sprapsim ndjeshëm trupat ruse, qasja e tij ndaj bisedimeve mund të ndryshojë dhe mund të detyrohet të vijë në tryezë pa shumë pretendime.
Por që të mbërrihet në këtë pikë, Perëndimi duhet të shfaqë një përkushtim të durueshëm vetëm ndaj një rezultati: një fitore të plotë dhe totale të Ukrainës. Administrata e presidentit të SHBA-së Joe Biden ka marrë disa vendime novatore, që mund të na ndihmojnë ta përmbushim këtë detyrë, përfshirë një program të ri historik të huadhënies, që e bën më të lehtë furnizimin me armë të Ukrainës.
Në përgjigje të kërkesës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, Shtetet e Bashkuara vendosën në maj të na ofrojnë 4 sisteme raketore që mundësojnë me shumë lëshime. Por kjo nuk mjafton. Artileria ruse është 15 herë më e madhe në numër se e jona në pjesët më të rëndësishme të vijës së frontit.
Prandaj, vetëm disa sisteme raketore amerikane nuk mjaftojnë që ne të nisim të dominojnë
në fushën e betejës. Ne kemi nevojë urgjente për më shumë armë të rënda nga burime të ndryshme për ta kthyer në favorin tonë peshoren e luftës, dhe për të shpëtuar sa më shumë jetë njerëzish.
Nevojat tona më të ngutshme janë për qindra sisteme raketash me shumë lëshime, dhe për pjesë të ndryshme artilerie të kalibrit 155 mm. Gjithashtu kemi nevojë për raketa kundër anijeve, tankeve, mjeteve të blinduara, mbrojtje ajrore dhe avionë luftarakë, që të jemi në gjendje të ndërmarrim kundërsulme efektive.
Pra ne kemi nevojë për armë që të provojnë se Perëndimi është i përkushtuar vërtet të na ndihmojë të fitojmë realisht, dhe jo thjesht për të shmangur humbjen tonë. Që nga fillimi i pushtimit, Ukraina është përpjekur vazhdimisht që të gjejë një zgjidhje diplomatike me Rusinë.
Por Putin ka refuzuar çdo negociatë serioze, pasi ai pret dobësimin e mbështetjes perëndimore për Ukrainën, teksa lufta vazhdon ende. Është e natyrshme të ndihesh i lodhur nga muajt e luftës në shkallë të gjerë. Por lufta e Rusisë drejtohet nga një synim gjenocidal. Prandaj Ukraina dhe i gjithë Perëndimi, nuk mund të pajtohen me kërkesat e Rusisë. Siç e deklaroi vetë Putin 2 ditë para pushtimit, vetë ekzistenca e Ukrainës është një gabim. Sipas tij, ukrainasit duhet të bëhen rusë ose përndryshe do të vdesin.
Dhe ai e ka realizuar këtë premtim. Pas marrjes së territorit, forcat ruse kanë hartuar listat me ata që duhen eleminuar, të përpiluara nga Shërbimi Federal i Sigurisë. Ata kanë torturuar dhe ekzekutuar njerëz që mësojnë gjuhën dhe historinë e Ukrainës, aktivistë të shoqërisë civile, mbrojtës të të drejtave të njeriut, ish-ushtarë ukrainas, autoritete lokale dhe shumë të tjerë.
Ata kanë ndryshuar tabelat rrugore nga ukrainisht në rusisht, kanë shkatërruar monumentet ukrainase, kanë ndaluar televizionin ukrainas dhe përdorimin e gjuhës ukrainase në shkolla. Ne në Ukrainë nuk jemi të befasuar nga kjo fushatë brutale. Ne e njohim mirë Rusinë, dhe kemi parë ndër shekuj sesi intelektualët rusë dhe mediat e kontrolluara nga shteti nxisin urrejtje ndaj kombit tonë.
Kjo urrejtje është edhe një arsye tjetër pse Perëndimi nuk mund të dorëzohet përballë Kremlinit. Një fitore ushtarake e Rusisë do të mundësonte vetëm torturimin, përdhunimin dhe vrasjen e mijëra ukrainasve të pafajshëm. Do të minonte vlerat liberale. Dhe do ta inkurajonte Rusinë të kërcënonte Evropën Qendrore.
Në fakt, ky skenar do ta lejonte Rusinë të kërcënonte botën perëndimore në përgjithësi. S’ka asgjë më të rrezikshme për Bashkimin Evropian dhe NATO-n, sesa pasja e një Rusie agresive përtej kufijve të saj lindorë. Për fatin e mirë të Evropës dhe Shteteve të Bashkuara, Ukraina po e zhvillon luftën ndaj kësaj force të errët, dhe është e motivuar të vazhdojë ta bëjë këtë derisa të fitojë.
Por ne nuk mund të kemi sukses të vetëm, dhe Perëndimi duhet të kuptojë rreziqet dhe pasojat e dështimit tonë. Nëse humbasim, nuk do të ketë më Ukrainë; nuk do të ketë prosperitet apo siguri në Evropë. Për me tepër Putin do të inkurajohej të shkaktonte më shumë trazira dhe fatkeqësi në të gjithë botën në zhvillim.
Por ai do të ndërhynte me më shumë forcë edhe në politikën amerikane dhe evropiane. Nëse ai arrin të pushtojë jugun e Ukrainës, do të ketë mundësi të marshojë më thellë në kontinent duke pushtuar Moldavinë, ku përfaqësuesit e saj kontrollojnë tashmë një pjesë të territorit. Madje mund të shkaktojë një luftë të re në Ballkanin Perëndimor, ku elitat serbe gjithnjë e më antagoniste kanë kërkuar frymëzim dhe mbështetje nga Rusia.
Prandaj, Perëndimi nuk duhet të sugjerojë iniciativa paqeje me kushte të papranueshme, por duhet ta ndihmojë Ukrainën të fitojë. Kjo do të thotë jo vetëm t’i sigurojë Ukrainës armatimin e rëndë që i nevojitet për të luftuar forcat ruse, por edhe të ruajë dhe shtojë sanksionet kundër Rusisë.
Perëndimi duhet të dëmtojë eksportet ruse, duke vendosur një embargo të plotë të energjisë dhe të ndërprerë qasjen e Rusisë në industrinë ndërkombëtare të transportit detar. Hapi i fundit mund të duket i vështirë për t’u realizuar, por në fakt është shumë i arritshëm: ekonomia ruse e orientuar nga eksporti mbështetet shumë tek flotat e huaja për të shpërndarë produktet e saj jashtë vendit, dhe flotat mund të ndalojnë së shërbyeri këtij vendi.
Disa vendimmarrës perëndimorë druhen ta ndihmojnë më shumë Ukrainën, pasi janë të frikësuar nga ajo që mund të bëjë Putin nëse mposhtet në fushëbetejë. Disa kanë frikë se ai mund të përdorë edhe arsenalin e frikshëm bërthamor të vendit të tij. Por Putini nuk është kamikaz; një fitore e Ukrainës nuk do të çojë në një luftë bërthamore. Frikëra të tilla mund të ushqehen qëllimisht nga vetë Kremlini për qëllime strategjike.
Në vend se të fokusohen aq shumë në ndjenjat e Putinit, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa duhet të fokusohen në hapa praktikë për ta ndihmuar Ukrainën ta fitojë këtë luftë. Ata duhet të mos harrojnë se një fitore e Ukrainës do ta bënte më të sigurt botën. Pasi do t’i dobësonte forcat ruse, duke e bërë më të vështirë për Moskën të ndërhyjë në Afrikë, Azi, Amerikën Latine dhe Ballkanin Perëndimor. Do të promovonte stabilitetin global më gjerësisht duke forcuar të drejtën ndërkombëtare dhe duke u demonstruar agresorëve të tjerë të mundshëm se barbaria ka një fund të keq. Për këto arsye Perëndimi duhet t’i japë Kievit atë që i nevojitet për të larguar nga vendi pushtuesit rusë.

Marrë me shkurtime

Shënim:Dmytro Kuleba, është Ministër i Jashtëm i Ukrainës.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!