Tirana vuan shumë, por fiton

schedule21:58 - 4 Maj, 2019

schedule 21:58 - 4 Maj, 2019

Edon Hasani ishte heroi i Tiranës në takimin ndaj Skënderbeut, i cili shënoi golin e fitores në kohën shtesë. Bardheblutë shkëputën 5 pikë nga Kastrioti i vendit të parafundit.

Tirana fitoi ndaj Skënderbeut në minutat shtesë falë golit të Edon Hasanit. Bardheblutë marrin frymë lirisht pas tre pikëve të siguruara në javën e 32. Të besuarit e trajnerit Ardian Mema nuk e patën aspak të lehtë pasi luajtën rreth 25 minuta me një lojtar më pak pas dëmtimit të Oduamadit ndërkohë që ishin kryer të gjitha zëvendësimet.

Tashmë diferenca me Kastriotin e vendit të parafundit është plot 5 pikë. Janë fillimisht miqtë që i afrohen golit në minutën e 7 me Bregun, por Abibi mban portën e paprekur. Janë sërish të besuarit e trajnerit Orges Shehi që shpërdorojnë një rast të mirë për të kaluar në avantazh Skënderbeun. Në minutën e 36 Bregu kroson për Krasniqin, por ky i fundit nuk përfiton dhe shifrat mbeten 0-0.

Tirana reagon dhe hidhet në sulm me Hasanin, i cili nuk arrin të ndal siç duhet topin brenda zonës. Edhe në aksionin e dytë të lojës, Skënderbeu shpërdoron shumë. Krasniqi e ka të pamundur për të realizuar me portën e boshatisur. Gjyqtari akordon 4 minuta shtesë që shfrytëzohen mjaft mirë nga Tirana. Edon Hasani realizon golin e tre pikëve për bardheblutë që ka shijen e mbijetesës.

Tirana rikthehet tek fitorja në momentin e duhur dhe qetësia tashmë është prezente tek lojtarët. Në fundin e ndeshjes u regjistrua një incident i vogël në tribunën Vip që gjithsesi nuk e zbehu festën e një fitoreje kaq të rëndësishme dhe të domosdoshme. Tashmë Tirana ka kohën e mjaftueshme të mendojë për derbin ndaj Partizanit./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!