Kombëtarja shqiptare e grupmoshës nën 17 vjeç, e drejtuar nga trajneri Ervin Bulku, ka filluar nga dita e enjte grumbullimin për dy ndeshjet miqësore që do të luajë ndaj bashkombasve të Kosovës në “Kukës Arena” më 21 dhe 23 qershor.
Në ditën e dytë të grumbullimit kuqezinjtë kanë luajtur një ndeshje miqësore ndaj Shqipërisë U-16 që drejtohet nga trajneri Agron Kërçova. Ndeshja e luajtur mbrëmjen e sotme në Kompleksin Tropikal përfundoi me fitoren e skuadrës së Ervin Bulkut me rezultatin 4-1.
Ndeshja filloi me një U-17 kërkuese dhe shumë e qartë në lojën e saj. Ekipi i trajnerit Bulku kishte inisiativën dhe u orientua që në minutat e para drejt portës kundërshtare dhe arriti të gjejë golin e parë në minutën 4 me kapitenin Adi Kurti, që shënoi me kokë pas një krosimi perfekt që erdhi nga krahu i djathtë. Në minutën e 28-të ishte Dejvi Metaj ai që dyfishoi rezultatin.
Për 9 minuta skuadra e trajnerit Kërçova ngushtoi diferencën me golin e Lufit. Reagimi i Shqipërisë U-17 ishte i menjëhershëm dhe në minutën e 39-të Sufka shënon golin e 3-1. Me këtë rezultat u mbyll dhe pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë të lojës të dy trajnerët aktivizuan të gjithë lojtarët që ishin në dispozicion. Ndryshe nga pjesa e parë, në të dytën pati vetëm një gol. Ishte Tosku në minutën e 75-të që shënoi golin që vulosi rezultatin final 4-1.
Shqipëria U-17 do të vazhdojë grumbullimin në qytetin e Durrësit deri më datë 20 qershor, kur do të zhvendosen në qytetin e Kukësit për të luajtur dy miqësoret me bashkëmoshatarët e tyre kosovar.
Shqipëria U17- Shqipëria U16 4-1
Golat: 4′ Kurti, 28′ Meta, 37′ Lufi, 39′ Sufka, 75′ Tosku
Shqipëria U-17: Babe, Koleci, Kurti, Damini, Selmani, Kashari, Belloj, Jaku, Bode, Metaj, Sufka.
Shqipëria U-16: Zadeja, Misja, Billa, Elmazi, Laze, Arifi, Lekaj, Grazhdani, Thaqi, Malaj, Lufi.