Kryeministri i Kosovës Haradinaj ka garantuar se pas liberalizimit të vizave me Gjermaninë, drejt këtij vendi do udhëtojnë qytetarë të ndershëm, artiste e intelektuale, jo kriminele nga Kosova.
Gjatë një interviste për prestigjozen gjermane “Di Velt” Haradinaj këmbëngul se Kosova i ka plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave.
Nuk do të ketë asnjë kriminel nga Kosova që do të përfitojë nga liberalizimi i vizave me Gjermaninë. Është ky premtimi i kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.
Gjatë qëndrimit të tij në Gjermani në kuadër të samitit të Berlinit, kreu i ekzekutivit kosovar, në një intervistë për prestigjiozen “Di Velt” foli ndër të tjera dhe për dialogun me Serbinë dhe procesin e integrimit euroatlantik të Kosovës.
Për sa i përket dialogut me Serbinë, Haradinaj është treguar i prerë kur përgjigjet se tashmë ka përfunduar koha e marrëveshjeve të vogla sepse tani bëhet fjalë për çdo gjë.
Ai pranoi se ka pasur regres në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, sepse Beogradi u ka kërkuar shteteve të tjera të ndalojnë njohjen e Kosovës dhe parandalimin e anëtarësimit në Interpol.
Dhe ishte kjo arsyeja që qeveria e Kosovës vendosi taksën prej 100 % ndaj produkteve serbe dhe atyre të Bosnje Hercegovinës.
Haradinaj shprehet se prania e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë fazë të dialogut do të ishte diçka e mirë, pasi SHBA ishte ajo që në vitin 1999 i dha fund luftës.
Për sa i përket liberalizimit të vizave Haradinaj këmbënguli se të gjithë janë të vetëdijshëm se Kosova ka plotësuar të gjitha 95 kushtet e kërkuara. E sidomos marrëveshja kufitare me Malin e Zi, e cila nuk ishte një detyrë e lehtë. Tani i takon BE-së dhe vendeve të saj të bëjnë pjesën e tyre, theksoi ai./ABC News Albania 24/7