VIDEO/ Rama dhe Abazoviç takohen me Zelenskyn në Kiev

schedule16:25 - 15 Qershor, 2022

schedule 16:25 - 15 Qershor, 2022

Kryeministri Edi Rama dhe ai i Malit të zi Dritan Abazoviçi janë takuar në Kiev me presidentin ukrainas Volodymir Zelensky.

Lideri ukrainas ka publikuar pamjet e këtij takimi në llogarinë e tij në Facebook. Zelensky ka pritur dy kryeministrat, të shoqëruar nga delegacionet në rezidencën presidenciale në Kiev.

Partnerët ndërkombëtarë vazhdojnë të vijnë në Ukrainë. Dhe ky është një manifestim i rëndësishëm i mbështetjes së popullit tonë. Sot u takova me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama dhe kryeministrin e Malit të Zi Dritan Abazovic”, ka shkruar Zelensky krahas pamjeve.

Më pas ata janë takuar edhe ne kryeministrin e Ukrainës, Denys Shmyhal.

Rama dhe Abazoviç u nisën dje drejt Ukrainës, ndërsa në orët e para të mëngjesit të sotëm ata mbërritën në kryeqytetin, Kiev. Ata kanë udhëtuar fillimisht drejt Polonisë, ndërsa prej andej janë nisur me tren për në zemër të Ukrainës.

Dy krerët e Qeverive të Ballkanit Perëndimor u pritën nga forca të shumta ushtarake dhe delegacioni ukrainas. Rama dhe Abazoviç vizituan qytetet Bucha, Borodyanka dhe Irpin, ku rusët kanë kryer krime lufte.

Rama është i shoqëruar nga Elisa Spiropali, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Endri Fuga, Drejtor i Agjencisë për Media dhe Informim, Volodymyr Shkurov, Ambasador i Republikës së Ukrainës në Shqipëri, Dorjan Duçka, Këshilltar i jashtëm. g.v/abcnews.al