Lideri i opozitës venezueliane strehohet në ambasadën spanjolle

schedule17:50 - 2 Maj, 2019

schedule 17:50 - 2 Maj, 2019

Një ditë pas lirimit nga arresti shtëpiak nga forcat anti Chavez, lideri i opozitës në Venezuelë, Leopoldo Lopez, është strehuar me bashkëshorten dhe vajzën në ambasadën spanjolle. Ndërkohë shërbimet e inteligjencës i kanë bastisur shtëpinë.

Është shkatërruar plotësisht, shtëpia e Lilian Tintori e Leopoldo López, liderit të opozitës venezueliane, i cili një ditë më parë u lirua nga arresti shtëpiak, nga një grup anti Chavez të cilët ndërmorën një operacion lirie të drejtuar nga Huan Guaido president i vetëshpallur i Venezuelës.

Sipas dëshmitarëve të ndryshëm, shtëpia e Lopez është kontrolluar nga disa anëtarë të shërbimit kombëtar të Inteligjencës boliviane. I njëjti grup që u përball në Karakas me mbështetësit e Guaido dhe Lopez. Duke kuptuar synimet e të dyve, ushtarët u tërhoqën duke bërë të dështonte atë që në sytë e botës doli si një përpjekje për grusht shteti.

Kontrolli në shtëpinë e Lopez ndodhi në ditën e fjalimit të Nikolas Maduro i cili i quajti frikacakë dhe kriminelë Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe liderëve të opozitës venezueliane. Në mënyrë të veçantë Maduro i kërkoi besnikëri të lartë ushtrisë, ndaj kushtetutës dhe përballë përpjekjes për grusht shteti të organizuar sipas tij pikërisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Maduro theksoi se një gjë e tillë nuk ndodhi me Chavez, dhe as me të nuk do të ndodhte, duke iu referuar përpjekjes së dështuar për grusht shteti në vitin 2002.

Më tej ai tha se liderët e opozitës synonin të mblidhnin në shesh me mijëra persona, por pasi dështuan u strehuan në ambasadën spanjolle. Duke iu referuar në këtë mënyrë liderit të opozitës López, i cili u strehua me bashkëshorten e tij dhe vajzën në ambasadën spanjolle në Karakas.

Maduro këmbëngul se ka informacione të qarta se ata që organizuan grushtin e shtetit janë presidenti amerikan Donald Trump, dhe Xhon Bolton, këshilltari për sigurinë kombëtare amerikane. Por ai akuzoi si bashkëpunëtorë në trazira dhe Brazilin, Kolumbinë dhe Kilin.

Në një video të re Maduro i bën apel ushtarëve që të tregohen të bashkuar para popullit dhe botës duke dhënë një leksion historik./ABC News Albania 24/7