Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë “Arrest në burg” për të dyshuarin si autor i vrasjes së ish-policit Arben Bilali, në janar të këtij viti në Selitë.
Masa për Arben Xhetanin u vendos pas kërkesës së prokurorisë, ku argumentohej se ka dyshime të forta se i arrestuari ka ndihmuar autorët të largoheshin me makinën e tij.
Burime zyrtare nga uniformat blu theksojnë se 47-vjeçari kishte ndryshuar mbiemrin nga Tirana në Xhetani, pas dënimit të tij për vjedhje automjetesh disa vite më parë. Xhetani dyshohet të ketë siguruar automjetin Mercedes-Benz, që u përdor nga atentatoret e Bilalit në ekzekutimin e tij.
I njëjti automjet u gjet pas krimit i braktisur në Mjull Bathore, afër rreth-rrotullimit të Saukut.
Nga nxitimi, autorët nuk mundën të digjnin mjetin luksoz, ku dyshohet se u gjet një shenjë gishti që i përket Arben Xhetanit. Mbi të rëndon akuza: “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Grupi hetimor dyshon se ish- polici Arben Bilali u ekzekutua për shkak te hasmërisë që anëtarët e familjes së tij kishin me një tjetër familje në zonën e Selitës në Tiranë./ABC News Albania 24/7