Stoltenberg: Suedia ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të plotësuar kushtet e Turqisë

schedule19:39 - 13 Qershor, 2022

schedule 19:39 - 13 Qershor, 2022

Suedia ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të përmbushur kërkesat e Turqisë për miratimin e anëtarësimit në NATO. Kështu është shprehur të hënën Sekretari i Përgjithshëm i aleancës Jens Stoltenberg gjatë një vizite në Suedi.

“Unë e mirëpres faktin që Suedia ka filluar tashmë të ndryshojë legjislacionin e saj kundër terrorizmit dhe do të sigurojë që kuadri ligjor për eksportet e armëve të pasqyrojë statusin e saj të ardhshëm si një anëtare e NATO-s me angazhime të reja ndaj aleatëve të saj,” tha Stoltenberg në një konferencë për shtyp me kryeministren suedeze Magdalena Anderson.

“Këta janë dy hapa të rëndësishëm në adresimin e shqetësimeve të ngritura nga Turqia,” shtoi ai, duke shtuar se ishte optimist se çështjet do të zgjidheshin sa më shpejt të jetë e mundur.

“Ne duhet të trajtojmë shqetësimet e sigurisë të të gjithë aleatëve. Qëllimi është të trajtohen kundërshtimet e Turqisë ndaj anëtarësimit në NATO sa më shpejt të jetë e mundur dhe që Suedia dhe Finlanda të bashkohen me NATO-n sa më shpejt të jetë e mundur,” tha ai.

Megjithatë, ai nuk vendosi një afat kohor të qartë, as për takimin e Aleancës më 28 qershor në Spanjë dhe as për zgjedhjet parlamentare të 11 shtatorit në Suedi. Të dy vendet kandidate, Suedia dhe Finlanda, janë ftuar të marrin pjesë.

Nga ana e saj, Anderson tha se vendi i saj “i merr shumë seriozisht shqetësimet e Turqisë”, si dhe kundërshtimet për çështjet e sigurisë.

Ajo tha se ambicia e Suedisë është që t’i zgjidhë këto çështje. Kujtojmë se presidenti turk i ka akuzuar si Suedinë ashtu edhe Finlandën si vende që mbështesin luftëtarët kurdë që Ankaraja i konsideron “terroristë”. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!