Marrëdhëniet e tensionuar mes Greqisë dhe Turqisë vazhdojnë në distancë me palët që nuk lënë rast t’i përgjigjen deklaratave të njëra-tjetrës.
Së fundi, Athina zyrtare ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, i cili tha se Greqia nuk i është përgjigjur letrave të Ankarasë.
“Greqia po kënaqet me demagogji, retorikë të pandershme, nuk mund t’u japë përgjigje ligjore letrave të Ankarasë”, tha ministri turk gjatë një vizitë në Qipro.
Në përgjigjen e saj, Athina thotë se akuzave turke i është përgjigjur me argumente ligjore, harta dhe letra.
“Greqia ka hedhur poshtë me argumente ligjore të bazuara në të drejtën ndërkombëtare të gjitha kundërshtimet e njëanshme turke. Ne nuk do të hyjmë në një ballafaqim steril të deklaratave. Ne i jemi përgjigjur me harta dhe letra të gjitha akuzave turke. Athina përgjigjet me qetësi dhe me prova”, thuhet në një deklaratë./ abcnews.al