Do të luhet sonte në orën 21:00, gjysmëfinalja e parë e Ligës së Kampionëve, mes Tottenham-it dhe Ajax-it. Priten emocione të mëdha në sfidën e Londrës.
Ata thonë se janë gati. Një grup djemsh të rinj, me fare pak veteranë mes tyre, do të synojnë të realizojnë çudinë e radhës në Ligën e Kampionëve.
“Fëmijët e tmerrshëm” të Ajax-it të Amsterdamit udhëtuan drejt Londrës, me besimin e plotë se mund t’ia dalin edhe ndaj Tottenham-it në gjysmëfinale, pasi eliminuan në raundet e kaluara, Realin kampion në fuqi dhe Juventusin favorit.
E dinë se përballë do të kenë Tottenham-in, një nga skuadrat më të mira të Europës vitet e fundit, por kjo nuk i bën të druhen. Gjithsesi, edhe anglezët kanë planet e tyre për të shkuar në finale, me një ekip që ka kushtuar më shumë, por që do të jetë me probleme sonte në orën 21:00.
Tottenham do të ketë mungesa të rëndësishme, mes të cilave sulmuesi kryesor Harry Kane, i dëmtuar, dhe sulmuesi tjetër, koreanojugori Son, i pezulluar. Po ashtu, mbrojtësi i kombëtares Uinks është i dëmtuar, si edhe Orie e Lamela.
Katër lojtarë të Tottenham-it kanë qenë më parë tek Ajax, Eriksen, Sanchez, Vertongen dhe Alderveireld, dhe klubi anglez postoi një foto të tyre në faqen zyrtare në Instagram.
Trajneri i Spurs-ave, Maurisio Poçetino, ishte shumë i frymëzuar në konferencën para ndeshjes.
“Unë jam duke e jetuar ëndrrën time, – tha argjentinasi, – kjo është ëndrra për të luajtur në gjysmëfinale të Championsit me Totenhemin. Këtë ëndërr e kishim 5 vjet më parë, dhe tani po e jetojmë. Gjithnjë duhet të ëndërrosh për të shkuar në Hënë, nëse dëshiron të marrësh diçka nga qielli. Duhet që ëndrrat t’i kesh për në pafundësi dhe përtej saj. Sukseset mund t’i arrish vetëm nëse i ëndërron dhe i dëshiron me gjithë shpirt”.
Gjithsesi, Poçetino nuk ngurroi të krijonte polemika, duke deklaruar se Ajax-i pati më shumë ditë në dispozicion sesa skuadra e tij, dhe se kjo nuk ishte e ndershme. Nuk vonoi përgjigja e trajnerit rival, Ten Hag.
“Ne fitojmë vetëm 10 milionë euro për faktin që luajmë në ligën holandeze, – tha ai, – ndërsa ata fitojnë 200 milionë në Premier Ligë. A mund ta quajmë këtë gjë, të padrejtë, dhe të pandershme ndaj nesh? Gjithnjë ka rrethana të ndryshme në vende të ndryshme, dhe skuadra të ndryshme, kjo nuk është në dorën tonë. Për sa i përket ndeshjes, ëndrra jonë është finalja, por duhet të jemi të kujdesshëm”.
Holandezët kanë shumë më pak probleme me dëmtimet, edhe i vetmi I dëmtuar, Nusair Mazraui, duhet të jetë i gatshëm. Yjet si De Ligt, De Jong, De Bek apo Tadiç janë në formë.
Tottenham jepet favorit për të fituar në stadiumin e tij, por Ajaksi është lehtësisht favorit për të kaluar në finale. Dy skuadrat janë ndeshur vetëm një herë në Europë, në të kaluarën, në Kupën e Kupave në 1981, dhe anglezët i fituan të dyja ndeshjet, 3-0 e 3-1./abcnews.al