Hidhet shorti i Kupës së Botës në Kremlin

schedule18:12 - 1 Dhjetor, 2017

schedule 18:12 - 1 Dhjetor, 2017

Në Kremlin të Moskës hidhet shorti i Kupës së Botës në futboll. Pretendentët kryesorë shmangën duelet në fazën e grupit, me përjashtim të derbit mes Portugalisë dhe Spanjës.

Ata që donin një Botëror dramatik që në fazën e grupeve, mbetën të zhgënjyer.
Shorti i hedhur si me dorë në Kremlin, bëri që skuadrat më të forta të shmangin përballjet që nga fillimi.
Dueli i vetëm vërtet i madh do të jetë ai i grupit B, mes kampiones së Europës, Portugalisë, dhe njërës prej favoriteve, Spanjës.
Një derbi i Gadishullit Iberik, që do të luhet në ndeshjen e parë në grup në 15 qershor.
Dy ekipet për t’u shmangur, të paktën në letër, ishin në vazon e dytë, pikërisht Spanja si dhe Anglia, dhe kjo e fundit u shmang nga Franca, Argjentina, Brazili e Gjermania.
Në Kremlin, selia hijerëndë historike e carëve, udhëheqësve sovjetikë, dhe sot e Vladimir Putinit, ishin disa nga yjet më të shkëlqyer të futbollit, të pranishëm në short.
Diego Maradona, Geri Lineker, Nikita Simonian (ish-lojtar i BRSS), Kafu, Gordon Benks, Karles Pujol, Fabio Kanavaro, Loran Blank apo Diego Forlan.
Ishte vetë Maradona që tërhoqi goglën me emrin e Anglisë, rivalit të madh të cilit i shënoi dy golat e jashtëzakonshëm në 1986, njërin me Dorën e Zotit, dhe tjetrin me Frymëzimin e Perëndisë, nëse mund të shprehemi kështu.
Organizatorët vendas e kishin përgatitur spektaklin sipas mënyrës së tyre.
Prezantuesi televiziv, Ivan Urgant, kishte në krah këngëtaren Alsustand, ndërsa emocionet e shortit u bashkuan me Vallen e Kozakëve të kërcyer nga grupi rus, “Mojsejev”.
Çfarë mund të veçohet nga shorti, përveç duelit Portugali-Spanjë?
Padyshim edhe sfida Argjentinë-Nigeri, me skuadrat që ndeshen për herë të pestë në Botëror, dhe me argjentinasit që i kanë fituar të gjitha ndeshjet.
Kupa e Botës nis me sfidën Rusi-Arabi Saudite në 14 qershor në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, ndërsa finalja do të luhet në 15 korrik po në këtë stadium.
Brazili cilësohet si favoriti për të fituar titullin, i ndjekur nga Gjermania kampione e botës, Franca dhe Spanja./abcnews.al