Detaje të reja kanë dalë nga arratisja e 27-vjeçarit Edison Pula nga burgu i Trevisos në Itali.
Mediet italiane bëjnë me dije se Pulën po e priste një makinë jo shumë larg murit rrethues të burgut.
Pula së bashku me 2 shqiptarë të tjerë prenë hekurat e qelisë dhe zbritën me çarçafë në oborr. 27-vjeçari Pula arriti të kapërcente murin dhe të humbet gjurmët, ndërsa dy të tjerët u kapën menjëherë dhe u rikthyen në qeli.
Meiet italiane shkruajnë se ndoshta ky ishte një plan për të lejuar Pulën të ikte.
Lajmin e arratisjes e dha sindikata Uilpa Polizia Penitenziaria, e cila drejton gishtin nga stafi i vogël i personelit të burgut.
Edison Pula u arrestua në shkurt, në qendrën tregtare Emisfero di Silea.
Ai ishte pjesë e bandës së grabitjeve të shtëpive dhe është ndër të dyshuarit për grabitjen në shtëpinë e naftëtarit Miotto në Mogliano Veneto.
Hetuesit e akuzojnë atë për 50 vjedhje të shënuara midis provincave Treviso dhe Belluno.
Por Pula po mbahej në Santa Bona me një urdhër-arresti evropian me akuzat për tentativë vrasje, grabitje, vënie eksplozivi dhe krime të tjera të trafikut të drogës, të gjitha të kryera jashtë Italisë.
Tani e gjithë policia italiane është vënë në kërkim të shqiptarit.
Koha luan në favor të të arratisurit dhe ndoshta ai ka arritur të largohet nga territori italian ku kërkohet aktivisht./abcnews.al/