Scholz e nis sot me Kosovën vizitën e tij dy ditore në Ballkan

schedule09:41 - 10 Qershor, 2022

schedule 09:41 - 10 Qershor, 2022

Ditën e sotme, më 10 qershor, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, do të nisë vizitën e tij të parë në Ballkan. Shteti i parë që do ta vizitojë është Kosova, ku do të takohet me kryeministrin Albin Kurti, si dhe së bashku do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për media. Kancelari pritet të takojë edhe kontingjentin gjerman të trupave të KFOR-it.

Scholz në Kosovë, përveç takimeve me krerët institucional, pritet të vizitojë edhe trupat gjermane në kuadër të KFOR-it.

Fokusi i udhëtimit do të jetë perspektiva e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE, si dhe kontributi i Gjermanisë në përmirësimin e bashkëpunimit rajonal. Kryeministri Albin Kurti, më 4 maj ishte në Gjermani për një vizitë zyrtare me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Ky ishte takimi i parë i kryeministrit Kurti me kancelarin gjerman Scholz. Në një konferencë të përbashkët për media pas një takimi që kishin realizuar të dy liderët pa praninë e mediave, Scholz kishte theksuar se çështjet e hapura mes Kosovës dhe Serbisë duhet të zgjidhen hap pas hapi me idenë që të kulmojë në paqen dhe stabilitetin rajonal.

Mes tjerash Scholz, pati theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe krijimit të një tregu të përbashkët rajonal brenda Procesit të Berlinit.

Po ditën e sotme kancelari gjerman Olaf Scholz do të udhëtojë për në Beograd, ndërsa të shtunën ai viziton Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë, në kuadër të turneut të tij në Ballkanin Perëndimor.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se me rastin e vizitës së kancelarit gjerman Olaf Scholz, sot do të ketë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta.

Në njoftim thuhet se policia do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror gjerman në Kosovë. /abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!