Gjatë punimeve të samitit të Berlinit, presidenti dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj kanë paraqitur kushtet për vijimin e dialogut me Serbinë. Dy krerët e shtetit kanë kërkuar që të njihet e kaluara e luftës dhe kanë paralajmëruar se nuk do të lejojnë një Asociacion serb me fuqi ekzekutive në veri të Kosovës.
Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj kanë paraqitur në samitin e Berlinit, organizuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti Makron, qëndrimin e përbashkët se Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Thaçi ka bërë me dije se në tryezën e përbashkët ka kërkuar gjithashtu që Serbia të heqë dorë nga cënimi i sovranitetit të Kosovës. gjithashtu, ka thënë Thaçi gjatë sesionit të punës, pretendimet apo ëndrrat e kujtdo se në veri të Kosovës mund të themelohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive i modelit të Republikës Serbe, nuk do të realizohen kurrë. “Nuk mund të këtë një zgjidhje as në modelin gjermano-gjerman dhe as me një sovranitet të dyfishtë”, ka thënë Thaçi. Ai ka shtuar se, Kosova është e gatshme për një marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë. Më kurajoz është shprehur kryeministri Haradinaj, i cili krahas kërkesës për njohje ka deklaruar se, palët nuk mund të ecin përpara derisa të pranojnë të vërtetën mbi të kaluarën dhe realitetin e së tashmes. “E vërteta e së kaluarës është se Kosova pësoi mizori dhe ne duhej të fillonim nga zeroja. Realiteti i së tashmes është se Kosova tani është një shtet i pavarur dhe është duke shënuar progres politik, ekonomik dhe social”, ka thënë Haradinaj. Duke përsëritur thirrjen se Serbia duhet ta njohë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, Haradinaj është zotuar se, do të kontribuojë për të përmirësuar jetën e qytetarëve serbë të Kosovës. “Unë e bëj këtë zotim pa pasur ndonjë ofertë nga Beogradi”, ka vijuar Haradinaj. Në fund, ai ka përsëritur kërkesën për liberalizimin e vizave. “Ne nuk duam asgjë më shumë se të njëjtat të drejta që gëzojnë vendet tjera dhe kjo duhet të përfshijë liberalizimin e vizave”, ka shtuar Haradinaj. /ABC News