Shkarkohet nga detyra komandanti i Guantanamos

schedule22:36 - 29 Prill, 2019

schedule 22:36 - 29 Prill, 2019

Komandanti i burgut Guantanamos është shkarkuar papritur nga detyra. Mediat amerikane bëjnë të ditur se shkarkimi ka ardhur për shkak të paaftësisë së oficerit të lartë, por lëvizja ngre shumë dyshime duke pasur parasysh reputacionin famëkeq të kompleksit ushtarak në Kubë.

Komandanti i burgut ushtarak të Guantanamos në Kubë është shkarkuar nga detyra vetëm 7 javë përpara se të linte postin. Admirali i marinës Xhon Ring është pushuar për shkak të humbjes së besimit në aftësitë e tij për të komanduar – thuhet në një komunikatë të Komandës Jugore të Marinës. Detaje të tjera mbi shkarkimin e papritur nuk janë dhënë, por lëvizja ngre shumë dyshime duke patur parasysh reputacionin e burgut famëkeq. Mediat amerikane shkruajnë se admirali Ring kishte qenë nën hetim prej disa muajsh, por nuk janë në gjendje të saktësojnë përse. Kompleksi i Guantanamos në Kubë përdoret që prej sulmeve të 11 shtatorit 2001, për të burgosur ata persona që administrata amerikane i konsideron “luftëtarët armiq”. Mbi 700 të burgosur kanë qëndruar atje që prej atëherë, edhe pse aktualisht llogariten rreth 40. Në postin e tij, admirali Ring ishte përgjegjës për të burgosurit e mbetur dhe një staf prej 1 mijë e 800 trupash dhe personeli civil. Në janar të vitit 2018, presidenti Donald Trump firmosi urdhërin ekzekutiv për ta mbajtur Guantanamon të hapur. Vendimi shënoi një kthim mbrapsht të politikës së parardhësit të tij Barak Obama, i cili kishte deklaruar se do ta mbyllte kompleksin sapo të krijoheshin rrethanat. /abcnews.al