“Taksat në Gjyq”, ekspertët përplasen në “Bardh a Zi”

schedule21:35 - 8 Qershor, 2022

schedule 21:35 - 8 Qershor, 2022

“Taksat në Gjyq”, ky ka qenë titulli i emisionit “Bardh a Zi” në Abc, të moderuar nga Ornela Gaçe dhe Erion Kristo.

Të ftuar për të diskutuar për këtë temë ishin eksperti i ekonomisë Pano Soko, Drejtori i Ministrisë së Financave Niko Lera, ish-zv.Ministri i Financave Elton Harxhi, si dhe aktivistët Flobens Dilaveri dhe Gjergji Gjika.

Për Niko Lerën dhe Elton Harxhin, ligji i ri i taksimeve rregullon sistemin fiskal.

Sipas Lerës nuk do të tatohen bizneset e vogla që nxisin punësim, por furnitorët.

Ndërsa për ekspertin Soko ky ligj është mjaft i rëndë për biznesin, pasi do të rrezikonte të sillte dhe falimentin.

Pjesë nga diskutimi:

Gaçe: A mendoni se të varfrit duhet të japin më shumë kontribute se të pasurit në Shqipëri?

Lera: Të varfërit nuk paguajnë tatime direkte.

Harxhi: Është një hap në drejtimin e duhur, që rregullon disa probleme që kishin shkaktuar disa probleme të shkaktuara vitet e fundit.

Gaçe: A mendoni do të ngrihet kundër këtij ligji?

Gjika: Siç është ngritur për ligjet e tjera.

Gaçe: A mendoni se ligji i ri i tatimeve është i ndershëm?

Dilaveri: Nga këndvështrimi i Nikos është i ndershëm, nga këndvështrimi i biznesit nuk është i ndershëm.

Soko: U gënjye populli me rastin e zgjedhjeve të 25 prillit duke iu thënë se deri në vitin 2029-të biznesi i vogël nuk do ketë asnjë taksë. Papritur dalim me idenë se biznesi i vogël duhet të paguajë rëndshëm. Këta nuk mbledhin dot paratë tek miqtë e tyre, i vërsulen shtresës së mesme dhe biznesit të vogël.

Lera: Unë nuk kam ardhur këtu për debat. Çfarë sistemi tatimor kemi ne në shqipëri?

Gaçe: S’na duhet ajo. A tha kryeministri që nuk do të taksohet biznesi i vogël deri në 2029-n.

Soko: Kur duhen votat janë premtimet, kur s’duhen votat ikin premtimet.

Lera: Edhe unë kam dëgjuar që biznesit i është thënë që nuk do të paguajë taksa deri në vitin 2029-të. Biznesi i vogël nuk do të tatohet deri në vitin 2029-të, biznesi i vogël që nxit punësim, që ka tregti, shërbime të caktuara, tregti familjare nuk do të taksohet. Aktualisht bizneset e vogla me qarkullim deri në 8 milionë e kanë tatimin zero. Subjektet me të ardhura deri në 5 milionë kanë 5 vjet me tatim zero. Kjo skemë përjashtimi do të ndërpritet ose do të fillojnë të hyjnë në sistemin e taksimit vetëm një pjesë.

Gaçe: Kush futet këtu?

Lera: Vetëm ata që kanë shërbimet e furnizimit.

Soko: Nuk është se po tatohen vetëm profesionet e lira, por dhe këta të tjerët.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!