Pas fjalës së përbashkët me liderët e Ballkanit Perëndimor, kryeministri Edi Rama ka mbajtur edhe një konferencë për media. Rama ju përgjigj akuzave të opozitës e cila ka deklaruar se nisma Ballkani i Hapur është nismë ruse.
Rama: Unë nuk flas asnjëherë për opozitat shqiptare kur nuk jam në Shqipëri, është parim. Të thuash që Ballkani i Hapur është projekt i Rusisë është njëlloj sikur të thuash që Be është Jugosllavia e re.
Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazovic gjatë fjalës së tij në Samit deklaroi se kundërshtimet që vijnë për këtë nismë janë më shumë inate personale mes vendeve. Kryeministri Rama u shpreh se Abazoviç di më shumë se ai për punën e inateve personale në Ballkan.
Rama: Unë jam më pak i informuar në lidhje me këto, por di t’ju them që Dritani ka të drejtë, pavarësisht se nuk e kam pyetur ekzakt se për këtë e ka fjalën. Është një djalë që di çfarë flet, thotë atë që mendon dhe mendon në mënyrë të drejtë. Me siguri ai ka të drejtë dhe unë bashkohem pa kushte me atë, që kjo është më shumë histori bajate ballkanike se sa histori gjeopolitike dhe gjeostrategjike./abcnews.al/