Sot po zhvillohet dita e dytë e samitit “Ballkani i Hapur” në Ohër. Liderët e 5 vendeve të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Ohër për takimin e radhës të nismës. Për herë të parë morën pjesë si vëzhgues Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, të përfaqësuar nga kryeministrat e tyre Dritan Abazoviç dhe Zoran Tegeltija. Në Ohër kanë mbërritur dje edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, presidenti serb Aleksandër Vuçiç. Kosova nuk ju bashkua takimit.
Eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Abc Live” në Abc u shpreh se liderët flasin për rajonin dhe klimën e përgjithshme të rajonit, por jo për detajet që kanë peshë të madhe në vendin tonë, siç janë marrëdhëniet Serbi-Shqipëri. Për sa i përket integrimit të rajonit në Be, eksperti tha se vendet perëndimore nuk kanë afeksion të veçantë për liderë apo vende të veçanta, por shohin procesin në mënyrë integrale.
Preçi: E përbashkëta e diskutimeve atje, është fakti që ata nuk flasin për pjesë politike, nuk flasin për shtete të veçanta, nuk flasin për aspekte që janë të shkëputura nga vetë procesi i integrimit. Flasin për rajonin, flasin për klimën e përgjithshme të interesim për interesat imediate të njerëzve dhe në të njëjtën kohë anashkalojnë me kujdes ato detaje që te ne zënë peshë të lartë siç është një lloj predominancë e dukshme dhe e padukshme e boshtit Tiranë-Beograd, pra marrëdhënieve të Serbisë me Shqipërinë dhe rolin përcaktues në një farë mënyrë që Serbia ka marrë në këtë fiksion politik siç është Open Balkan. Në të njëjtën kohë vëmendja fokusohet tek çdo lëvizje që i shërben procesit të integrimit. Duhet të kuptojmë që perëndimorët nuk kanë afeksion të veçantë për vende të veçanta apo liderë të veçantë por shohin procesion në mënyrë integrale dhe njëkohësisht motivohen nga interesat e qytetarëve të rajoni për tu bashkuar me BE. Fakti që Shqipëria në vitin 2010, në vitin 2020 vazhdon të ketë të njëjtin nivel të ardhurash për frymë, 30% të mesatares së BE, pra janë 10 vite të humbura, do të thotë që fokusi i politikave tona duhet të jetë ekonomia e brendshme.
Sipas tij, marrëveshjet e firmosura nuk gjejnë zbatim dhe si shembull solli Kosovën. Preçi tha se vendi ynë ka mbi 70 marrëveshje të nënshkruara e Kosovën dhe shumica e tyre nuk gjejnë zbatim. Ai u ndal edhe te deklarata e ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov për sa i përket nismës Ballkani i Hapur.
Preçi: Komenti i diplomatit Lavrov duhet marrë ashtu siç është, ata (rusët) e shohin Ballkanin e Hapur si një mundësi për të zgjeruar sferën e ndikimit ekonomik, politik dhe ushtarak të Serbisë në rajon. Nëse zgjerohet fuqia ekonomike e Serbisë, kuptohet zgjerohet dhe fuqia ekonomike e Rusisë. Serbia është anëtare e unionit afro-aziatik të ish-Bashkimit Sovjetik të drejtuar nga Rusia.
Sipas ekspertit Serbia është në të drejtën e vet që të kërkojë të zgjerojë sferën e ndikimit politik dhe ushtarak, pro në të njëjtën kohë problematika që ka ekonomia e vendit tonë në raport me ekonominë e Kosovës dhe ekonominë e rajonit është e ndryshme.
Sipas tij, kjo do të thotë se vendet që janë më të varfra nuk kanë si të përfitojnë nga lëvizje të tilla./abcnews.al/