Nga Xhensila Kodra
Tritoli në makinën e efektivit të Policisë në Kavajë, Lulëzim Muça, dyshohet të jetë vendosur për shkak të detyrës.
Lënda plasëse prej rreth 100 gr ishte montuar me telekomandë në pjesën e poshtme të mjetit nga ana e shoferit.
Ngjarja ndodhi në orët e vona të së martës, teksa makina tip “Opel” ishte e parkuar në garazhin e pallatit ku efektivi Muça ishte transferuar me banim pak muaj më parë.
Për shkak të mungesës së kamerave të sigurisë në garazh dhe përgjatë pallatit, grupi hetimor e ka ende të paqartë se ku është montuar lënda plasëse.
Autorët janë ende të paidentifikuar. Ndërsa për të zbardhur rrethanat oficerë të Kavajës morën në pyetje kolegun e tyre, Lulëzim Muça.
Gjatë deklarimeve, ai ka mohuar të ketë konflikte me njeri. Të vetmin dyshim që e lidh me shpërthimin, efektivi Muça thotë se mund t’i ketë ndodhur për shkak të detyrës që ushtron në qarkullimin rrugor të Kavjës.
Grupi hetimor dyshon se shkak i tritolvënies mund të jetë bërë ndonjë konflikt i mundshëm i tij me persona të tjerë gjatë ushtrimit të detyrës, ku po verifikohen disa persona, banues në Kavajë, të cilët janë gjobitur nga efektivi Muça.
/abcnews.al