Samiti i Berlinit, Thaçi: Shans për rifillimin e dialogut

schedule11:48 - 28 Prill, 2019

schedule 11:48 - 28 Prill, 2019

Samiti i Berlinit nuk do të sjellë një risi në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, por do të jetë një shans për rifillimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli. Sipas presidentit Hashim Thaçi, kancelarja Merkel dhe presidenti Macron do nxisin palët për një marrëveshje të tipit Athinë-Shkup.

Një ditë para takimit të Berlinit, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se ky samit nuk do të sjellë një proces të ri në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, por do të kërkojë mundësi për zgjidhjen e problemeve duke marrë si shembull marrëveshjen ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë.

“Në takim theks i veçantë do t’i jepet mundësisë së vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, që do të sjellë stabilitet edhe më të madh në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Thaçi në profilin e tij në Facebook.

Kreu i shtetit të Kosovës ka theksuar se, pret nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron që të tregojnë mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë, si respektim i kontratës ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

“Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe e meriton lëvizjen e lirë si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit dhe kontinentit. Nëse diçka e tillë nuk ndodh, takimi i Berlinit do të jetë zhgënjyes për qytetarët e Kosovës”, ka thënë Thaçi. Presidenti ka shtuar se, në këtë takim do të kërkojë edhe dënimin e genocidit të shtetit serb në Kosovë në vitet 1998-1999.

“Ne do të fokusohemi në mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe në forcimin e rendit dhe ligjit, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, ka shtuar Thaçi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!