Zjarret në Sazan, Peleshi: Janë izoluar vatrat më të rrezikshme të zjarrit, jemi në gatishmëri të plotë

schedule23:51 - 5 Qershor, 2022

schedule 23:51 - 5 Qershor, 2022

Prej disa orësh ishulli i Sazanit ndodhet nën pushtetin e zjarrit, ku dhjetëra forca të ushtrisë janë duke punuar për shuarjen e tyre.

Me anë të një postimi në Facebook, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, thekson se janë izoluar tashmë disa nga zonat më të rrezikshme në Sazan.

Ndërkohë Peleshi ju ka dhënë dhe një përgjigje sulmeve politike, duke theksuar se Forcat e Armatosura dhe gjithë strukturat shtetërore janë në gatishmëri të plotë.

Postimi i Peleshit:

Në këto momente duket se janë izoluar disa nga vatrat më të rrezikshme të zjarrit në Sazan. Trupat e Forcave të Armatosura po punojnë me përkushtim në kushtet kur ndërhyrja në vatrat e mbetura është e vështirë për shkak të relievit dhe të natës.

Sakrifica dhe profesionalizmi i Forcave te Armatosura meriton mirënjohje.

I vlerësoj të gjitha shqetësimet dhe mendimet e shprehura pa teklif, por ne mbështetemi tek ekspertët e fushës që vlerësojnë se teknika më efikase në rastin e zjarrit në ishullin e Sazanin është izolimi i vatrave duke krijuar breza të shpyllëzuar rreth vatrës.

Me të gjithë partnerët tanë dhe Mekanizmin Europian të Mbrojtjes Civile kemi ndërtuar marrëdhënie për të aktivizuar mbështetjen me mjete ajrore shtesë, gjatë stinës së verës, pa humbur kohë nëse do të çmohet e nevojshme nga ekspertët. 

Sigurisht prioritet ka mbrojtja e jetës së banorëve dhe më pas e florës e faunës si edhe trashëgimia jonë natyrore e historike.

Fatkeqësisht edhe kjo verë do të jetë shumë e nxehtë . Ne do të jemi përkrah bashkive për të mbështetur përballimin e emergjencave të mundshme. Por kemi nevojë edhe për vullnetarizëm dhe angazhim nga të gjithë për të përballuar së bashku situatat e emergjencave, në vend që t’i ndezim akoma më shumë nga tastiera.

/Abcnews.al/