“Para të ardhura nga krimi”, sekuestrohen 12 milion euro pasuri në Kosovë

schedule09:05 - 5 Qershor, 2022

schedule 09:05 - 5 Qershor, 2022

Rreth 12 milionë euro është vlera e pasurive që shteti i ka konfiskuar nga qytetarët e Kosovës. Përveç veturave, Agjencia e Administrimit të kësaj pasurie menaxhon edhe pasuri të paluajtshme, e shumë gjëra të tjera me vlerë.

Rreth 12 milionë euro është vlera e gjithçkaje që është aktualisht e sekuestruar apo konfiskuar nga organet ligjzbatuese në Kosovë.

Shumica dërrmuese prej tyre janë nën masë sekuestrimi, pasi dyshohet se janë përfituar kundërligjshëm.

Vlera e saktë nuk dihet ende, por zyrtarët e këtyre pasurive, thonë se janë në fazë të vlerësimit.

Disa nga pasuritë e luajtshme ruhen në periferi të Prishtinës. Këto vetura të sekuestruara nga shteti ose janë përdorur për kryerje të veprës penale ose janë përfitim nga vepra penale, e vlera e tyre aktualisht arrin në 2,377,000.00 euro.

E brenda depos ka disa dhoma në të cilat gjenden mjete motorike, që ishin gjithashtu, në pronësi të qytetarëve të Kosovës.

Në një tjetër dhomë janë televizorët të sekuestruar, e aparate kazinosh, të cilët Policia e Kosovës i ka marrë nga hapësirat e lojërave të fatit, kur ato u ndaluan në Kosovë.

E një tjetër hapësirë është e mbushur me kompjuterë, që dikur ishin në lokalet ku ushtrohej puna në bizneset call center, përpara se në to të zhvillohej një operacion i gjerë i Policisë së Kosovës dhe autoriteteve gjermane.

Por, diçka edhe më interesante gjendet në këto dhoma, bëhet fjalë për laboratoret e drogave që në Kosovë, së fundmi janë zbuluar e shkatërruar nga Policia në masë të madhe.

Disa që janë kapur në operacionet e fundit ende nuk janë këtu.

E sipas Agjencisë që administron këtë depo, vlera e këtyre pasurive që ndodhet në këtë depo është rreth 85.000.00 euro.

Megjithatë, ky nuk është i vetmi vend ku mblidhen këto pasuri.

“Ato që kanë vlerë pak më të lartë si ari, argjendi, para ato i mbajmë në BQK”, ka thënë Enver Krasniqi, zëvendës drejtor i AAPSK-së.

Në Bankën Qendrore të Kosovës prej këtyre pasurive ruhen para në vlerë prej 4,972,179.36 eurove, ndërkaq gjëra të çmuara në vlerë prej 1,300,000.00€.

Përveç këtyre, janë dhe një sërë laptopësh, telefona e iPad që ruhen në një hapësirë të ngushtë në zyrën e Agjencisë, brenda Ministrisë së Drejtësisë.

Kjo agjenci administron edhe pasuritë më të vlefshme, që janë ato të paluajtshmet.

Zëvendës drejtori, Enver Krasniqi thotë se nuk ka pasur rast që ato të nxirren në shitje.

“Kemi edhe pasuri të paluajtshme ku përfshihen banesat, shtëpitë, tokat, parcela të ndryshme, kemi pasur rast edhe një hotel në biznes. Disa prej tyre janë të konfiskuara dhe janë tashmë të regjistruara si pronë e shtetit ndërkaq disa tjera janë në fazë të sekuestrimit dhe pritet vendimi i Gjykatës”, ka thënë Enver Krasniqi për Dukagjinin..

Vlera e pasurive te paluajtshme që shteti e ka në pronësi si të konfiskuar aktualisht është rreth 3,000,000.00 euro./Express/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!