Konflikti i armatosur mes Ukrainës dhe Rusisë ka hyrë në ditën e tij të 100 duke lënë pas vetëm vdekje e shkatërrim. Megjithëse u konsiderua si një “operacion special” nga Rusia që do të zgjaste shumë pak, rezistenca ukrainase vijon të jetë e fortë dhe t’i shkaktojë dëme të mëdha ushtrisë pushtuese.
Ky moment historik i zymtë erdhi pasi Kievi njoftoi se Moska tani ka në kontroll një të pestën e territorit ukrainas, duke përfshirë Krimenë dhe pjesë të Donbasit që janë aneksuar në 2014. Pasi u tërhoqën nga kryeqyteti, trupat e Presidentit Vladimir Putin janë pozicionuar në Ukrainën lindore, duke rritur frikën se lufta mund të zgjatet.
Rusia po ashtu kontrollon qytetet port më të rëndësishme në Ukrainë dhe po e përdor këtë gjë si armë pasi nuk po lejon eksportin e grurit ukrainas duke rritur çmimet e ushqimeve në mbarë botën.
Pas bisedimeve të Shtëpisë së Bardhë me Presidentin e SHBA-së Joe Biden, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg paralajmëroi të enjten se aleatët e Ukrainës duhet të përgatiten për një “luftë rraskapitëse”.
Që nga pushtimi i Rusisë më 24 shkurt, mijëra njerëz janë vrarë dhe miliona janë detyruar të largohen. Në fushën e betejës, deri në 100 ushtarë ukrainas po vdesin çdo ditë, sipas Zelensky. Ndërkohë vazhdojnë betejat në Severodonetsk, një tjetër qytet kur trupa rusë kërkojnë të marrin kontrollin, raporton abcnews.al
Rusia tashmë kontrollon rreth 80 për qind të qytetit strategjik, por ushtarët ukrainas po bëjnë rezistencë të ashpër, me guvernatorin rajonal të Luhansk, Sergiy Gaiday, i cili është zotuar se forcat ukrainase do të luftojnë “deri në fund”.
Fabrika Azot e Severodonetsk, një nga fabrikat më të mëdha kimike në Europë, u vu në shënjestër të ushtarëve rusë të cilët qëlluan mbi një nga ndërtesat e saj administrative dhe një magazinë ku mbahej metanoli.
Trupat ukrainase kanë në kontroll një zonë industriale, tha Gaiday, një situatë që të kujton Mariupolin, ku një fabrikë e madhe çeliku ishte streha e fundit e qytetit port juglindor derisa trupat ukrainase më në fund u dorëzuan në fund të majit.
Në qytetin Sloviansk, rreth 80 kilometra nga Severodonetsk, banorët raportuan për bombardime të vazhdueshme nga trupat ruse. Në qytetin jugor të Mykolaiv, bombardimet ruse vranë të paktën një person dhe plagosën disa të tjerë.
Mbështetja financiare
Të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, vendet perëndimore kanë dërguar armë dhe furnizime të shumta ushtarake në Ukrainë. Bridget Brink, ambasadorja e SHBA-së në Kiev, premtoi të enjten se Shtetet e Bashkuara “do të ndihmojnë Ukrainën të luftojë kundër agresionit rus”.
Në fillim të kësaj jave, Shtetet e Bashkuara njoftuan se po dërgonin sisteme më të avancuara të raketave Himar në Ukrainë. Raketat mund të gjuajnë deri në 80 kilometra largësi. Ato janë pjesë e një pakete prej 700 milionë dollarësh që përfshin gjithashtu radarë të mbikqyrjes ajrore, municione, helikopterë dhe automjete të blinduara.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov akuzoi Uashingtonin se “i ka hedhur benzinë zjarrit”, megjithëse zyrtarët amerikanë këmbëngulin se Ukraina ka premtuar të mos i përdorë ato për të goditur qytetet brenda Rusisë.
Përtej dërgimit të armëve në Ukrainë, aleatët perëndimorë kanë kërkuar gjithashtu të bllokojnë ekonominë ruse në një përpjekje për ta bërë Putinin të ndryshojë kurs. Shtetet e Bashkuara futën në listën e zezë menaxherin e parave të Putinit dhe një kompani të Monakos që ofron jahte luksoze për elitën e Moskës.
Përtej Atlantikut, vendet e BE ranë dakord për sanksione të reja që do të ndalonin 90 për qind të importeve të naftës ruse në bllok deri në fund të vitit. Nga ana tjetër, Rusia ka paralajmëruar se konsumatorët europianë do të jenë të parët që do të paguajnë çmimin për embargon e pjesshme të naftës.
Prodhuesit e mëdhenj të naftës së papërpunuar ranë dakord të rrisin prodhimin me rreth 50 për qind më shumë në muaj në një përpjekje për të lehtësuar presionin mbi inflacionin. Por lëvizja i zhgënjeu investitorët dhe çmimet u rritën pas njoftimit.
Lufta rrezikon të shkaktojë një krizë globale ushqimore, pasi Ukraina është një nga prodhuesit kryesorë të grurit në botë. Lufta ka rritur gjithashtu çmimet e mallrave thelbësore nga drithërat tek vaji i lulediellit dhe misri. Ndërsa të varfrit janë më të prekurit.
Kreu i Bashkimit Afrikan, presidenti senegalez Macky Sall, do të vizitojë Rusinë të premten për bisedime me Putinin. Vizita synon “eksportin e rezervave të drithërave dhe plehrave, bllokimi i të cilave prek veçanërisht vendet afrikane”, së bashku me lehtësimin e konfliktit në Ukrainë, tha zyra e Sall.
24 shkurt – Në orën 03:55 të mëngjesit, TV Rossija 24 transmeton një video të regjistruar paraprakisht në të cilën presidenti rus shpall një operacion ushtarak për të mbrojtur Donbasin, çmilitarizimin dhe denazifikimin e Ukrainës. Menjëherë pas kësaj, lajmet e para për shpërthime mbërritën në Kiev, Odessa, Kharkiv, Mariupol. Pushtimi filloi.
25 shkurt – Presidenti Zelensky poston një video në mediat sociale: “Ne jemi këtu, ne jemi në Kiev, ne po mbrojmë Ukrainën”.
Një shenjë se ai nuk ka ndërmend të largohet nga vendi i tij. Por ai e di se është në shënjestër të Moskës: “Mund të jetë hera e fundit që më shihni të gjallë”. Vendi bërthamor i Çernobilit bie nën kontrollin e forcave ruse.
27 shkurt – Kryetari i bashkisë së Berdyansk, një qytet në bregun jugor të Ukrainës raporton se rusët kanë marrë kontrollin. Me një mijë ndalesa, delegacioni ukrainas dhe rus vendosin të takohen në kufirin me Bjellorusinë.
2 Mars – Në ditën e shtatë të luftës, qyteti i parë i madh, Kherson, në jug, bie në duart e rusëve.
4 mars – Forcat ushtarake ruse marrin kontrollin e centralit bërthamor të Zaporizhzhia, më i madhi në Europë.
8 mars – McDonald’s mbyll 850 pika të ushqimit të shpejtë në Rusi.
9 mars – Bombat ruse goditën një maternitet në Mariupol. Fotoja e Marianna Podgurskaya, një blogere e re shtatzënë në muajin e nëntë, me plagë në fytyrë, e cila del pas shpërthimeve bën xhiron e botës. Dhe një tjetër, e marrë me barelë, vdes me foshnjën e saj. Por Moska flet për “inskenim”.
11 mars – OKB-ja raporton se rusët përdorin bomba thërrmuese. Kryetari i bashkisë së qytetit juglindor të Melitopolit, Ivan Fedorov, u rrëmbye dhe u mor me një thes në kokë.
13 Mars – Brent Renaud, regjisor dhe producent i dokumentarëve dhe reporter lufte, i vlerësuar me shumë çmime amerikane, vritet në Irpin.
15 mars – Gazetarja ukrainase Alexandra Kuvshinova dhe kameramani i Fox TV Pierre Zakreëski vriten pranë Kievit.
16 mars – Ushtria ruse bombardon teatrin e Mariupolit ku ishin strehuar qindra civilë. Është e pamundur të përcaktohet numri i viktimave.
29 mars – Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan mirëpret delegacionet ruse dhe ukrainase në Stamboll për bisedimet e paqes.
3 prill – Në Bucha, në brendësi të Kievit, rusët tërhiqen, duke lënë shkatërrim dhe vdekje: shpëtimtarët gjejnë rrugë të mbushura me kufoma, shumë me kyçet e dorës të lidhur, viktima të ekzekutimeve. Varret masive zbulohen me kalimin e ditëve.
8 Prill – Forcat ruse godasin me raketa stacionin Kramatorsk në Donbas, duke shkaktaur më shumë se 50 të vrarë dhe dhjetra të plagosur.
29 Prill – Raketat ruse goditën qendrën e Kievit gjatë vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres. Një gazetar ukrainas vritet nga bombardimet.
3 maj – 290 kufoma civilësh gjenden në Irpin pas tërheqjes së trupave ruse. Shumica të ekzekutuar.
20 maj – Pas 86 ditësh rezistencë, luftëtarët ukrainas brenda fabrikës së çelikut Azovstal në Mariupol iu dorëzuan ushtrisë ruse pas urdhrave të Kievit. Qyteti i Mariupolit është në kontrollin e rusëve.
2 qershor – Forcat ruse avancojnë në Donbas dhe kontrollojnë 80% të Severodonetsk, pas ditësh avancimi me Kievin duke njohur “vështirësitë” e rezistencës. Rreth 800 persona po strehohen në bunkerë të ndryshëm kundërajror në bodrumin e fabrikës kimike Azot teksa dara është shtrënguar në të gjitha qytetet e rajonit.
/abcnews.al