Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka marrë ftesë nga homologu i tij maqedonas, Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në samitin e nismës “Ballkani i Hapur”, që pritet të mbahet në Shkup, në datat 7 dhe 8 qershor 2022.
Në letrën e Kurtit drejtuar kryeministrit Kovaçevski nuk ka konfirmim për pjesëmarrjen apo jo të tij në samitin e nismës ‘Ballkani i Hapur’.
Në një pjesë të letrës Kurti i kërkon Kovaçevskit që të punojnë për parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez për rajonin.
Sipas Kurtit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të punojnë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajon.
Ai thotë se vlerat dhe aspiratat e përbashkëta arrihen në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku shtetet operojnë me rregullat dhe vlerat e Bashkimit Evropian.
Letra e Kurtit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti, ka marrë ftesë nga Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.Dimitar Kovaçevski, për të marrë pjesë në samitin e nismës “Ballkani i Hapur”, që pritet të mbahet në Shkup, në datat 7 dhe 8 qershor 2022.
Kryeministri Kurti i është përgjigjur ftesës së kryeministrit Kovaçevski me një letër, të cilën mund ta lexoni në vijim:
I nderuar Kryeministër,
Ju falemnderit shumë për ftesën e datës 23 maj 2022.
Republika e Kosovës mirëpret bashkëpunimin rajonal të bazuar në parimet e barazisë dhe me qytetarët si përfitues përfundimtarë.
Për këtë qëllim, ne jemi të angazhuar në mënyrë aktive në Procesin e Berlinit, i cili mbulon shumë iniciativa rajonale, duke përfshirë Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM), i cili u miratua nga të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin e Sofjes në 2020 dhe u miratua dhe u mbështet plotësisht nga Bashkimi Evropian.
Të dyja vendet tona ndajnë vlera të përbashkëta dhe aspirata të përbashkëta për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu ndajmë një besim të përbashkët në lirinë, demokracinë, drejtësinë dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe qytetarit, median e lirë dhe lirinë e mendimit dhe një mjedis politik ku opozita nuk heshtet, por lulëzon dhe mund të fitojë në zgjedhjet e ardhshme.
Kjo është arsyeja pse ne kemi ndërmarrë reforma që luftojnë korrupsionin, promovojnë sundimin e ligjit, avancojnë ekonomitë tona dhe rrisin mundësitë për të gjithë. Dhe pse të dyja vendet tona rreshtohen vazhdimisht me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë edhe kundërshtimin e pushtimit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia, ku ne shpejt e dënuam dhe vendosëm sanksione kundër Federatës Ruse, pavarësisht vështirësive ekonomike.
Pasi që jemi takuar disa herë, unë besoj fuqishëm se këto janë vlerat që duam të ndjekim në rajonin tonë, për të siguruar paqe dhe prosperitet afatgjatë.
I nderuar Kryeministër,
Besoj se këto synime arrihen më së miri në Tregun e Përbashkët Rajonal, ku operojmë me rregullat e BE-së dhe vlerat e BE-së dhe ku punojmë për të siguruar mekanizma të trajtimit të drejtë nga të cilët përfitojnë të gjithë qytetarët tanë në mënyrë të barabartë.
Siç e dini, në kuadër të Procesit të Berlinit Serbia kërkon trajtim të pabarabartë për qytetarët e Kosovës dhe bllokon çdo marrëveshje brenda Tregut të Përbashkët Rajonal që mundëson bashkëpunim rajonal të bazuar në parimet e barazisë.
Duke pasur parasysh vlerat e përbashkëta mes dy vendeve tona, është në interesin tonë që të punojmë së bashku në parandalimin e Serbisë që të promovojë interesin e saj rus dhe kinez në rajonin tonë, duke mohuar vazhdimisht pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe duke bllokuar mundësitë e barabarta për qytetarët e Kosovës.
Sinqerisht,
Albin Kurti
Kryeministër i Republikës së Kosovës
/abcnews.al/