“Mæmen” është kënga më e re e këngëtares, Nilsa Hysi, e cila këtë herë ka bashkëpunuar me një reper nga Kanadaja. Ndonëse ka vetëm pak ditë që është publikuar projekti, duket se është pritur shumë mirë nga publiku. E ftuar në “ABC e Mëngjesit”, Nilsa tregoi si lindi bashkëpunimi me Alo The One dhe ndau detaje nga kënga e xhirimet e videoklipit në natyrë.
“Jemi gjetur rastësisht në Instagram përmes një djali tjetër që jeton në Kanada, i pash profilin dhe e ruajta në mendje. Mendova që projekti i radhës ishte i duhur me të.
Jam shumë e lidhur me natyrën, më çliron shumë në vetvete. Ky është qëllimi pse udhëtoj, edhe një trip i shkurtër jashtë Tirane në natyrë më frymëzon.
Klipi është xhiruar një pjesë në Elbasan, ndërsa Alo e ka xhiruar pjesën e vetë në Kanada”, u shpreh ajo.
Më tej, e pyetur lidhur me këngët që lancohen në tregun muzikor shqiptar, ajo u tregua e prerë duke thënë se nuk do të donte të gjykonte askënd.
“Ka shumë këngë që unë i dëgjoj që dalin dhe unë s’do bëja kurrë. Ndryshe nga ç’mendoja më përpara, mendoj se ka këngë të mijat që ka këngëtar që nuk do i këndonin kurrë. Nuk jam unë të gjykojë se çfarë do dal në treg në Shqipëri apo jo”, deklaroi Nilsa./abcnews.al