Bashkimi Evropian ka aprovuar sot raundin e fundit të sanksioneve kundër Rusisë.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell thotë se blloku ka arritur një zgjidhje të arsyeshme me marrëveshjen për të shkurtuar pothuajse nëntëdhjetë për qind të importeve të naftës nga Rusia deri në fund të vitit.
“Ne jemi klienti më i rëndësishëm për Rusinë. Ata do të duhet të kërkojnë një tjetër dhe sigurisht do të duhet të ulin çmimin. Qëllimi është që rusët të kenë më pak burime, më pak burime financiare për të ushqyer makinerinë e luftës.”
Por jo të gjithë janë dakord me vlerësimin e tij.
“Nëse më pyesni mua, do të thoja shumë ngadalë, shumë vonë dhe definitivisht jo mjaftueshëm”, ka thënë Ihor Zhovkva, nënkryetari i zyrës së Presidentit Volodymyr Zelensky.
Bisedimet janë tani në ditën e tyre të dytë, dhe ka nga ta që thonë se BE duhet të shkojë më tej dhe të diskutojë një paketë të shtatë të sanksioneve ndaj Rusisë që do të përfshinte masa kundër importeve të gazit. /abcnews.al/

