S’ka president konsensual, dështon raundi i tretë i votimit: Grupi i PD-së bojkoton seancën, PS drejt kandidatit të saj

schedule10:17 - 30 Maj, 2022

schedule 10:17 - 30 Maj, 2022

Presidenti i ardhshëm i Shqipërisë nuk do të jetë konsensual. Raundi i tretë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit me shumicë të cilësuar dështoi, pasi palët politike nuk depozituan asnjë kandidaturë.

Në seancën e sotme deputetë e PD të Enkelejd Alibeajt nuk janë paraqitur. Në këtë mënyrë i hapet rruga Partisë Socialiste për zgjedhjen e pasuesit të Ilir Metës.

Në raundin e katërt do të jenë socialistët ata të cilët do të sjellin propozimin e tyre për ta votuar në Kuvend. Kandidatura e PS do të jetë rrjedhimisht edhe presidenti i ri i republikës. Këtë e konfirmoi edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla paraditen e sotme duke thënë se kishin disa emra. 

Deri në raundin e tretë, sipas marrëveshjes duhet të sillte propozime vetëm opozita, pasi socialistët pranuan draftin e Enkelejd Alibeajt. Mirëpo, demokratët u tërhoqën, duke akuzuar PS për shkelje të marrëveshjes. Sipas tyre soacialistët nuk pranuan që të firmosnin kandidatët që do të propozonte opozita, të cilët më pas do të shkonin për votim në Kuvend.

Sakaq, në mbledhjen e Konferencës së Kryeytarëve do të caktohet edhe raundi i katërt. Sipas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008 në dy raundet e fundit presidenti zgjidhet me 71 vota, duke mos kërkuar rrjedhimisht konsensusin e detyruar.

Qëllimi ishte që forcat politike në Kuvend në tre raundet e para të gjenin një president konsensual, por edhe këtë herë një gjë e tillë nuk ndodhi. Kujtojmë se në 24 korrik Presidenti Ilir Meta dorëzon postin e kreut të shtetit në duart e Presidentit të ri, i cili pritet të zgjidhet në muajin qershor.

Por a do të kemi një President në raundin e katërt?

Pavarësisht deklaratave publike të bëra nga ana e kreut të grupit parlamentar socialist Taulant Balla, se mazhoranca do t’i jepte dhe një mundësi opozitës që të bëhej pjesë e procesit për zgjedhjen e presidentin edhe në raundin e katërt në mënyrë që të kishim një emër konsensual, edhe kjo ofertë u hodh poshtë nga vetë përfaqësuesit opozitarë.

Gjasat janë që në raundin e katërt të kemi një emër të propozuar nga mazhoranca dhe që pritet të kalojë me 71 vota. Sikurse deklaroi Taulant Balla sot maxhoranca kishte disa emra. Sipas Ballës, askush nuk mund ta mbajë peng procesin e zgjedhjes së presidentit, ndërsa kërkoi dialog dhe bashkëpunim sërish me opozitën. g.v/abcnews.al