Debate në Maqedoni për kryetarin e Bashkësisë Fetare Islame

schedule16:20 - 24 Prill, 2019

schedule 16:20 - 24 Prill, 2019

Bashkësia Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut e cilësoi si skandal primitiv një vendim të debatueshëm të Gjykatës Themelore të Shkupit, e cila për kryetar të këtij institucioni në vend të reis Sulejman efendi Rexhepit, të zgjedhur nga Rijaseti, organ më i lartë i komunitetit mysliman në Maqedoninë e Veriut emëroi Skënder Buzakun, i cili prej kohësh përpiqej të merrte këtë post. Rexhepi u shpreh se kjo tregon se në vend nuk ka institucione, por shtet policor.

‘Kur ligjin e bën Maliqi’, thotë shprehja popullore, punët dalin nga shinat. Pa çka se është kohë fushate, kohë zgjedhjesh dhe një votë mund të jetë edhe përcaktuese. Kur instrumentalizohet sistemi i drejtësisë, atëherë bie në ujë gjithë angazhimi për shtet të së drejtës, për inaugurim të përgjegjësisë apo edhe llogaridhënies.

Larg asaj të mbrohet BFI-ja dhe kreu i saj, për të bëra a të pabëra, por të vijë në shprehje e drejta. E drejta kushtetuese, më saktësisht. Neni Nëntëmbëdhjetë i Kushtetutës, me ndryshim-plotësimet me Amendamentin e 7 dhe të 8, thotë se bashkësitë fetare janë të ndara nga shteti dhe të barabarta para ligjit. Implikimi i Gjykatës Themelore Shkupi II përmes aktvendimit të shumë-debatueshëm që në Fletoren Zyrtare të figurojë një emër i si i pari i Bashkësisë Fetare Islame, vetëm se e shpërfaq brishtësinë e gjyqësorit për t’u dhënë të drejtë atyre të cilët thonë se edhe pas ndryshimeve, i njëjti vazhdon të dirigjohet nga politika apo edhe nga grupe të interesit.

Nuk janë për t’u besuar pretendimet se përpjekja e së martës për një puç të ri në Bashkësinë Fetare Islame është rezultat i pakënaqësisë së shtabit të kandidatit presidencial të koalicionit qeverisës me votat e arkëtuara në mjediset ku pjesëtarët e fesë islame përbëjnë shumicë, ani që me to, thonë ekspertët e fushës, i njëjti siguroi epërsinë ndaj rivales nga tabori tjetër, sado e ngushtë qoftë ajo, por edhe çdo arsyetim a pretekst tjetër nuk e zhbën bindjen se: ndërhyrja ishte e qëllimshme! Kjo për shkak se logjika e bërjes së punëve me hyxhym, në stilin ‘vet shkruaj e vet vulos’, pa përfillur rregullat e lojës, fundin e ka të hidhur dhe punët mund t’i nxjerrë jashtë kontrollit.

Ata që dje u munduan të bëjnë diçka përtej normave kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, por edhe përtej normave të Kushtetutës së BFI-së, në pikun e fushatës, për interesa të politikës apo të grupeve të interesit, do të duhej ta dinë se – për një plesht nuk digjet jorgani!/abcnews.al