Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-Presidentit Bujar Nishani.
Kontributi i tij në ndërtimin e shtetit shqiptar shënoi hapa pozitivë, shkruan Alibeaj, ndërsa shprehet se Shqipëri humbi një njeri të paqtë para kohe.
Alibeaj: Lajm i trishtë, për familjen, miqtë dhe kolegët, ai i ndarjes së parakohshme nga jeta e Presidentit Nishani! Kontributet e tij në ndërtimin e shtetit shqiptar shënuan hapa pozitivë në cdo detyrë publike që iu besua e ku shërbeu me dinjitet, si deputet, ministër dhe President. Shqipëria humbi para kohe një njeri të paqtë, një opozitar të vendosur dhe një shtetar të urtë! I qoftë dheu i lehtë e zoti iu dhëntë forcë bashkëshortes, fëmijëve e të afërmëve! Iu prehtë shpirti në parajsë!
Ish-Presidenti i Republikës, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, një muaj pasi ishte shtruar në gjendje të rëndë në një spital në Gjermani. Situata shëndetësore e ish-kreut të shtetit u rëndua pas infektimit të tij me COVID-19 dy muaj më parë. Ai vuante nga një sëmundje autoimune në mëlçi dhe nuk arriti t’i tejkalojë pasojat që virusi famëkeq i ka lënë në organizëm.
Lexo edhe: VIDEO/ “Mos”, demokratët tronditen kur marrin vesh Live lajmin për vdekjen e ish-Presidentit
Siç ka raportuar Abcnews.al Nishani u paraqit në Sanatorium me shenja pneumonie në të dyja mushkëritë për shkak të kalimit të koronavirusit, i cili kishte lënë pasoja të tjera shëndetësore. Pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, më 22 prill, Nishani u nis drejt Gjermanisë për mjekim, ku edhe dha frymën e fundit pranë familjarëve në moshën 56 vjeçare.
Burime për Abc bënë me dije se Nishani ka pasur fibrozë post COVID, të cilat i kanë shkaktuar ulje të nivelit të oksigjenit në gjak si edhe parametra të tjera problematikë duke bërë të domosdoshme dërgimin e tij jashtë./abcnews.al/