Enkelejd Alibeaj u është përgjigjur akuzave të bëra më herët nga ish-kryeministri Sali Berisha. Në një postim në Twitter, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së thotë se nuk janë deputetët e Grupit Parlamentar, peng i Edi Ramës. Por, shton ai, duket se kush është duke bërë pazare të fshehta me kreun e qeverisë.
Sipas tij, bëhet fjalë për po të njëjtën njerëz që kanë dëshmuar mungesë koherence në qëndrimet e Ramës dhe që tashmë “hedhin baltë mbi çdokënd që mendon ndryshe.
ENKELEJD ALIBEAJ NË TWITTER
“Asnjë formë e vjetëruar komunikimi nuk e fsheh dot dështimin në përballjen me të vërtetën dhe vullnetin e lirë të demokratëve. Pazaret e politikës së vjetër janë të vështira të çrrënjosen nga mendësitë e atyre që për 30 vjet mbajnë peng interesin e shqiptarëve. Nuk janë deputetët e grupit parlamentar të PD peng i Edi Ramës dhe shpurës së tij. Ata që janë në pazare të dukshme dhe të fshehta me të, ata që ndër vite kanë dëshmuar mungesë koherence në qendrimet ndaj qeverisë Rama dhe partnerëve të saj, janë sot të njëjtët që hedhin baltë mbi çdokënd që mendon ndryshe. Respekti për interesin e qytetarëve dhe jo për hallin personal është treguesi.”
Kujtojmë se Sali Berisha ka komentuar më herët gjatë së premtes mbledhjen e grupit të PD që mbajti një ditë më parë Alibeaj duke thënë se në mbledhje kishte 4 demokratë që nuk janë pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
“Një grup i vogël, ndër ta ish kryetari dhe 2-3, Alibeaj e të tjerë të kapur këmbë, krye dhe xhep nga qeveria thonë se këto nuk kanë ndodhur, nuk janë të vërteta. E vërteta është se kjo lojë dështoi në mënyrë përfundimtare se ishte përpjekje e tmerrshme për të kapur peng pluralizmin. Loja ishte të mos kemi pluralizëm politik. Çfarë bëri Alibeaj dje? Unë tha kam kuorum këtu. Para 10 ditësh, grupi parlamentar tha ka 40 deputetë. Dje ishin 4 demokratë që nuk i përkasin grupit parlamentar se Kuvendi ia ka dhënë grupeve të tjera. Për kuorum mbledhja e tij duhet ta kishte të paktën 27 deputetë. Kur i intereson e thotë e kam me 40, kur i intereson thotë se ka një sharlatan që ka mungesë totale respekti për veten, keqpërdoret nga Edi Rama, harron se ka patur funksione të rëdnësishme dhe në qeveri e kur bën akte të tilla vetëm sa shkelmon mbi veten e tij. Ajo që mund t’u them se mrekullia shqiptare e shekullit 21 ishte shpëtimi i pluralizmit politik, jo rikthimi i Sali Berishës”, tha Berisha. /abcnews.al/