Barazim, ofendime dhe sherr, Çelsi mbetet prapa në garën për Champions

schedule17:26 - 23 Prill, 2019

schedule 17:26 - 23 Prill, 2019

Çelsi pati një tjetër dështim në Premier Ligën angleze, duke rrezikuar kualifikimin për në Champions. Trajneri Sarri u përjashtua me karton të kuq, në një ndeshje që përfundoi me konflikt.

Tri pikët duheshin marrë patjetër, dhe mendohej se do të merreshin. Gjithsesi, këto ditë Çelsit nuk mund t’i besohet as kur luan në stadiumin e tij, përballë mbi 40 000 tifozëve, dhe ndaj një kundërshtari jo të vështirësisë maksimale si Bërnli.

Përfundoi 2-2 në “Stemford Brixh”, dhe blutë e Londrës e vunë edhe më shumë në rrezik kualifikimin për në Champions sezonin e ardhshëm.

Dueli i Premier Ligës i pati të gjitha, me përjashtim të fitores vendase.

Katër gola, përmbysje dhe emocione të mëdha, në një ndeshje të shpejtë e të vrullshme, tipike angleze, ku edhe skuadrat e vendit të fundit duken të barabarta me ato të kreut.

Ishte edhe mbrëmja e një goli të shkëlqyer nga Gonzalo Higuain, sulmuesi argjentinas që po përpiqet të gjejë fatin tek Çelsi, pas Realit, Napolit, Juventusit e Milanit.

Ai pati fatin që një tifoze e bluve ta fuste në gjoks nga gëzimi, pas realizimit.

Tifozët, megjithatë nuk mbetën të kënaqur.

“Sarri është një trajner i mirë, por nuk i përshtatet stilit të Çelsit”, – ishte një koment në rrjetet sociale.

“Sarri, ore burrë plak, shko rri në shtëpinë tënde, shikoji ndeshjet në televizor”, – shkruajti një tifoz tjetër.

“Çelsi do të dalë në vend të 6-të, unë e di”, – u shpreh me dëshpërim një komentues.

Fundi në “Stemford Brixh” ishte me konflikt.

Lojtarë e trajnerë të të dyja skuadrave thuajse u përleshën, për shkak të një tensioni tepër të madh.

Duket se gjithçka nisi nga përjashtimi i trajnerit vendas, Mauricio Sarri, drejt të cilit duket se u tha diçka më pas nga stoli I miqve.

“Sarri nuk duhej të ishte përjashtuar, – tha ndihmësi i tij, Xhanfranko Xola, – ai thjesht deshi t’u fliste lojtarëve dhe doli jashtë zonës së lejuar. Por, ai u ofendua nga njerëz në stolin e Bërnlit, ndaj ishte shumë i zemëruar dhe i fyer”.

Fati i trajnerit duket i vendosur për t’u shkarkuar në fund të sezonit, madje edhe nëse Çelsi arrin kualifikimin për në Champions, gjë që duket shumë e vështirë në këtë moment.

Blutë kanë 67 pikë, ndaj 66 të Arsenalit e 64 të Mançester Junajtidit, që kanë një ndeshje më pak. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!