Rrugët e Tiranës “fushëbetejë”, dhunë mes tifozëve italianë e hollandezë: 60 të shoqëruar, 10 policë të lënduar

schedule07:44 - 25 Maj, 2022

schedule 07:44 - 25 Maj, 2022

Tifozët hollandezë dhe italianë të ardhur në Tiranë për të ndjekur finalen e parë të Conference League mes ekipit të Feyenoord-it dhe atij të Romës, e cila do të luhet sot në stadiumin e “Air Albania” kanë shënuar një seri incidentesh mbrëmjen e djeshme gjatë përplasjeve me njëri tjetrin dhe me policinë.

Disa punonjës policie, dhe tifozë të të dyja skuadrave por dhe disa qytetarë shqiptarë përfunduan në spital, ndërsa raportohet për të paktën 60 të shoqëruar në komisariate.

Sipas informacioneve nga ana e policisë së shtetit, janë të paktën 10 efektivët e policisë të cilën kanë mbetur të lënduar këtë të martë në Tiranë teksa rrugët u kthyen në “fushëbetejë”.

Pas konsumimit të tepërt të alkoolit, tifo grupet e dy skuadrave kanë dhunuar dhe terrorizuar qytetarët në Tiranë.

Shërbimet e Policisë kanë tentuar t’i ndalojnë në rrugën “Mustafa Matohiti”, ku tifozët e skuadrës Feyenoord, në mënyrë të dhunshme kanë goditur punonjësit e Policisë me shishe qelqi, shkopinj, gurë dhe sende të tjera të forta.

Më pas, një grup tjetër tifozësh, të skuadrës së Romës, kanë lëvizur në drejtim të urës së DVP Tiranë ku dhe atje janë përplasur sërish me policinë duke përdorur gurë, shishe e shkopinj.

“Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave, janë plagosur 10 punonjës Policie dhe është dëmtuar një automjet policie. Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur shpërndarjen e tyre si dhe kanë shoqëruar në ambientet e Policisë 60 shtetas nga grupet e  tifozëve të dyja skuadrave, 48 shtetas italian dhe 12 shtetas holandez dhe vijon shoqërimi i personave të tjerë, të përfshirë në akte të dhunshme”.

Policia e Shtetit bën thirrje për shmangien e veprimeve të dhunshme, që nuk manifestojnë asnjë lidhje me sportin.

be.k/abcnews.al