Luan dhe Andy Ajredini janë dy vëllezërit shqiptarë pjesë e gardës muzikore Tivoli Garden, një park argëtimi në Danimarkë. Pas më shumë se 175 vitesh nga krijimi, atraksioni vazhdon të magjepsë vizitorët nga bota. Ata janë pjesë e gardës rinore, një shkollë muzikore për djem dhe vajza të moshës 8-16 vjeç.
Babai i tyre, Agimi, gjatë një interviste për emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, tregoi se Luani tashmë është kapiten i gardës. “Luani si 6 vjeçar e kishte fokusin që nga fillimi te muzika. Tivoli është një gardë muzikore që është pjesë e Tivolit, një Disneyland, por një nga më të vjetrat në botë.
Por aty është dhe si shkollë e muzikës. Mund të thuash është një nga shkollat e muzikës më me disiplinë. Luani është baterist ndërsa tani është kapiten i gardës që nuk luan në një instrument. Andi është ushtar i thjeshtë por dhe vitin tjetër do të fillojë me bateri.”, tregoi i ati.
Si pjesë e kësaj garde, ata kanë pasur mundësinë që të takojnë dhe mbretëreshën daneze, Margrethe II. “Luani e ka takuar mbretëreshën dhe më parë. Ka qenë në pallatin mbretëror dy herë për ditëlindje. Por ta përcjellësh në Tivoli ku ishte për vizitë ishte vërtet e madhe”, tha babai i dy djemve. /abcnews.al