Komediani 41-vjeçar në Ukrainë është Presidenti i ri i vendit. Kështu të paktën sugjerojnë sondazhet, që i japin aktorit Volodimir Zelenskij pjesën dërrmuese të votave, duke lënë rivalit Petro Poroshenko vetëm 25 për qind.
Komediani Volodimir Zelenskij ka fituar balotazhin zgjedhor duke u bërë presidenti i ri i Ukrainës. Të paktën kështu thonë sondazhet e fundit, të cilat i japin atij mbi 70 për qind të mbështetjes elektorale. Zelenskij dominoi raundin e parë zgjedhor të mbajtur 3 javë ma parë, kur në garë ishin 39 kandidatë, më premtuesi mes të cilëve presidenti në ikje Petro Poroshenko. Posti i presidentit në Ukrainë ka pushtet të rëndësishëm sa i takon fushave të sigurisë, mbrojtjes dhe politikës së jashtme dhe nuk është një post i thjeshtë ceremonial si në republika të tjera. Pasi hodhi votën në kuti ditën e diel, Zelenskij u shpreh i bindur për fitoren e tij dhe u premtoi zgjedhësve se nuk do t’i zhgënjejë kurrë. Rivalit të tij Petro Poroshenko, i cili u zgjodh në vitin 2014 pas rrëzimit nga pushteti të qeverisë pro-ruse, sondazhet i japin vetëm 25 për qind të votave. Nëse sondazhet rezultojnë të sakta, aktori pa eksperiencë politike do të jetë në krye të shtetit për 5 vitet e ardhshme. Sipas një analize për BBC, populli ukrainas votoi masivisht për figurën e tij nën efektet e etjes për ndryshim, por pavarësisht entuziazmit, vështirësitë për 41-vjeçarin do të nisin pas marrjes së detyrës, pasi çështjet me të cilat do të përballet janë të shumta. Mes tyre spikat ajo në lindje të Ukrainës, zonë e zaptuar nga militantët pro-rusë pas aneksimit të Krimesë 5 vjet më parë. /abcnews.al